MENU

Çfarë e bashkon Idrizin dhe Kurtin?

“Pranvera e Kosovës le të vijë në Shqipëri!”

12.10.2019 - 16:19

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi shoqëruar edhe nga pjesëtarë të tjerë të partisë së tij janë takuar me kreun e Lëvizjes Vetvendosja në Kosovë, Albin Kurtin.

Idrizi shprehu vlerësimin e tij për aktivitetin e VV në shërbim të çështjes kombëtare dhe për qëndresën e Albin Kurtit.

Zgjedhjet ishin një test i kaluar me sukses e përbëjnë një model rotacioni në Kosovë.

“Këto zgjedhje kanë turbulluar dhe ujrat e ndenjura të kënetës së politikës shqiptare dhe shpresoj që pranvera e Kosovës të vijë dhe në Shqipëri” – tha Idrizi.

Vota e qytetarëve të Kosovës solli një risi në politikën e vendit duke nxjerrë në skenë një brez të ri por me shumë përvojë politikanësh e së bashku me Vjosa Osmanin e LDK, e cila solli një risi të padiskutueshme në këto zgjedhje, do krijohet mundësia për një politikë të re e të suksesshme.

Gjatë takimit u diskutua lidhur me nevojën për të përafruar sistemin arsimor e për të krijuar një model ekonomik që nuk ka barriera artificiale si ato që janë sot.

Përtej deklaratave të zjarrta politike sot duhet të jetë koha për të vepruar në dobi të shqiptarëve me hapa real e duke realizuar rikthimin e shpresës në Shqipëri e Kosovë.

Lidhur me krijimin e të ashtuquajturit ‘Schengen Ballkanik’, Idrizi e vlerësoi si “një hap jo të nevojshëm që rikthen nocione të vjetra politike si ajo e ish-konfederatës Jugosllave dhe theksoi se në Shqipëri është e nevojshme të shohim marrëdhëniet me Serbinë duke mbajtur gjithmonë parasysh interesin e Kosovës. Objektivi ynë kryesor është të integrohemi në Europë e jo të kërkojmë artifice që nuk ndihmojnë as Kosovën e as Shqipërinë”.

Albin Kurti vlerësoi mbështetjen e qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje dhe theksoi se puna e ardhshme do duhet të përqëndrohet në rritjen e mirqënies së tyre dhe rritjen e dinjitetit të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare.