MENU
klinika

Urdhri i Arta Markut

Prokurorët të njoftojnë zyrën e pastrimit të parave për çdo vendimmarrje

31.10.2019 - 21:38

Një urdhër i nxjerrë nga kryeprokurorja Arta Marku detyron të gjithë prokurorët e rretheve dhe ata të Krimeve të Rënda, që të informojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe në vijimësi Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, për dosjet hetimore që kanë të bëjnë me hetimin pasuror.

Urdhri është shpërndarë sot në mëngjes në të gjithë prokuroritë e rretheve, dhe detyron prokurorët që të informojnë zyrtarët e Parandalimit të Pastrimit të Parave, për çdo vendimarrje që ata do marrin, lidhur me çështjet penale që hetojnë për sa i përket hetimit pasuror.

Që nga dita e nesërme çdo vendimarje për pezullim të dosjes, mosfillim, pushim apo dërgimin e çështjes në gjykatë për sekuestrim pasurie apo qoftë dhe konfiskim, prokurorët do të duhet që një kopje t’ia nisin me postë zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Drejtoria e Pastrimit të Parave nuk është një institucion që varet nga prokuroria dhe nga policia, por është një institucion në varësi të qeverisë dhe që bashkëpunon shpesh herë me prokurorinë dhe policinë për rastet e parandalimit të pastrimit të parave.