Një shpirt i vetmuar dhe një nga shkrimtarët e mëdhenj rusë të shekullit të 20-të, gjatë gjithë jetës Andrejev mbajti barrën e rëndë të dëshpërimit.
Leonid Andrejevi, një nga zërat më origjinalë dhe më të diskutueshëm që jehuan gjatë viteve të para të shekullit XX në letërsinë ruse, kishte një dhunti që ishte vetëm e tij: të shprehte gjendjen shpirtërore të dhjetëvjeçarëve që çuan në Luftën e Parë Botërore dhe në revolucionin e vitit 1917. Ai e shprehu këtë në tregimet, novelat dhe pjesët teatrale, që ushtruan një ndikim të fuqishëm në imagjinatën e bashkëkohësve të tij dhe e bënë të suksesshëm si në Rusi, ashtu edhe në botë. Gati i harruar pas vdekjes, si shumë shkrimtarë të tjerë të vendit të tij, ai përfitoi më shumë se gjysma e tyre nga ky rizbulim i vlerave të viteve 1900-1910 që u bë në ish-Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së J. Stalinit./Konica.al
Novator, në ballë të letërsisë pararojë, ai si Marsel Prusti, Xhejms Xhojsi dhe shkrimtarë të tjerë të brezit të tij, luftoi problemet e dala nga agonia e rendit të vjetër dhe dhembjet e lindjes së brezit të ri. Duke e cilësuar si një katastrofë tjetërsimin e njeriut modern, ai ndërmori një seri eksperiencash të guximshme, që hapnin rrugë të reja dhe depërtoi tej realizmit tradicional të letërsisë ruse për të arritur në maksimumin e shprehjes së dilemave filozofike plot ankth dhe të gjendjeve psikologjike komplekse.
Nga njëra anë, Leonid Andrejevin e vendosin në linjën që shkon nga Dostojevski, Strindbergu, Niçe, tek ekspresionizmi gjerman, Pirandelo, O’Neil dhe teatri absurd; por nga ana tjetër, ai ndan disa shqetësime themelore të Kafkës, Tomas Manit dhe ekzistencializmit francez.
Leonid Andrejevi lindi më 21 gusht 1871 në Orjol, në zemër të Rusisë Qendrore, në jug të Moskës. I ati, Nikollaji, gjeometër në shërbim të pushtetit vendor, vdiq i ri, duke i lënë të shoqes, Anastasia, barrën e rritjes së gjashtë fëmijëve. Leonidit, si djali i madh, iu desh të merrte pjesë për të përballuar jetesën. Kjo përballje me vështirësitë e jetës, pika kulmore e një adoleshence të turbulluar, la gjurmë në jetën e tij. Ai kishte kaluar një fëmijëri tepër të lumtur tek luante shkaktarin kryesor të arratisjeve të të rinjve, duke shpikur ndodhi aventurash nga më të ndryshmet që kur ishte në moshë të re. Meqë temperamenti i tij nuk e duronte disiplinën e ngurtë të shkollave ruse në vitet 1880, ai parapëlqente më mirë të lexonte vepra të ndaluara dhe të polemizuara, si ato të Pisarievit dhe “Cili është besimi im”, i Leon Tolstoit. Ajo që e shqetësonte, para së gjithash, ishin problemet e pafundme të ekzistencës njerëzore dhe jo vetëm përzgjedhja midis ideologjive antagoniste. Në të njëjtën kohë, ai u bë subjekt i një depresioni të thellë që e bëri të dyshonte edhe te vetja.
Në 1890, data e ditarit më të vjetër që ka mbetur nga Leonid Andrejevi, jeta e tij ishte e tronditur. Nga njëra anë, ai besonte tek inteligjencia si e aftë të qartësojë misteret e ekzistencës dhe të japë kritere për ta jetuar atë, nga ana tjetër, ai ishte pre e tronditjeve dhe pasioneve irracionale. Me teprinë e një Ivan Karamazovi, ai mbyllej në një qorrsokak, të krijuar nga vetë argumentet e tij. Përfundimi: dëshpërim e dhembje. Më 1 gusht 1891, në një shkrim të frymëzuar, të cilin më vonë e cilëson si profetik, ai shkruante për dëshirën e tij për t’u bërë i shquar:
“…Të shkruaj gjëra që u ngjajnë dhe u japin formë këtyre fshehtësive të errëta dhe këtyre ndjenjave gjysmë të ndërgjegjshme që përbëjnë fatin e brezit të sotëm… Dua të provoj që në këtë botë nuk ka as të vërtetë, as lumturi të bazuar tek e vërteta, as liri, as barazi – nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë… Dua të tregoj paqendrueshmërinë e këtyre trillimeve, mbi të cilat është bazuar njeriu deri më sot: zoti, morali, jeta pas vdekjes, shpirti i pavdekshëm, lumturia njerëzore, etj… Dua të jem apostulli i vetasgjësimit. Dua që me librat e mi të veproj mbi arsyen, ndjenjat, nervat e njerëzve, mbi gjithçka që e bën atë si kafshë. Do të doja që njerëzit të dridhen nga frika kur të lexojnë librin tim, që ai të veprojë mbi ta si një opium, si një ëndërr e keqe, me qëllim që ata të humbasin arsyen, që të më mallkojnë, por të më lexojnë… e, të vrasin veten. Dua të tallem hapur me njerëzimin, të tallem sa të velem me egoizmin dhe naivitetin e tij”.
E harroi shpejt kryeveprën apokaliptike që projektonte, megjithatë, në dhjetë vjet arriti famën që dëshironte me aq pasion. Në vjeshtën e vitit 1891, hyri në Universitetin e Shën Petërburgut për drejtësi. Tmerrësisht i varfër, pinte, u përpoq disa herë të vriste veten, studioi pa zell dhe mori pjesë pak në veprimtaritë politike e kulturore të studentëve. Në mes të kësaj periudhe të errët, ai kaloi në Universitetin e Moskës, ku u njoh me atë që do të bëhej gruaja e tij, Aleksandra Veligorskajan.
Andrejevi filloi të shkruajë novela, njëra prej të cilave u botua më 1892: “Në të ftohtë e ar”. Novelat: “Ai, ajo dhe vodka”, “Enigma”, “Ekstravaganti”, u botuan në vitet 1895-1896, ndërsa të tjerat mbetën në dorëshkrim. Ato dëshmojnë për një prirje abstragimi dhe alegorie, që gati u zhduk në novelat realiste, që Leonid Andrejevi shkroi në fillim të karrierës letrare dhe që u rishfaqën në veprat e tij të mëvonshme. Pasi mori diplomën më 1897, kishte si qëllim të fillonte karrierën e juristit dhe punoi me ndërprerje si avokat. Në të njëjtën kohë shkruante kronika gjyqësore për gazetën “Korrieri”, që botohej në Moskë dhe shumë shpejt u nxit që t’u propozonte botuesve novela origjinale. Më 5 prill 1898, u botua në faqet e kësaj gazete “Bargamonti dhe Garaska”, karriera e tij letrare tashmë kishte nisur.
U miqësua me Gorkin, këshillat dhe nxitjet e të cilit ishin vendimtare për Andrejevin. M. Gorki jo vetëm që e futi në “Sreda”, në rrethin e shkrimtarëve e të artistëve, armiq të regjimit, por u përpoq t’i botonte përmbledhjen e parë me novela, në vitin 1901. Ai e shtyu atë të reflektonte mbi talentin e tij letrar, për përgjegjësinë ndaj shoqërisë, që tradita ua jepte shkrimtarëve rusë, për situatën politike brenda e jashtë vendit. Andrejevi shpesh nuk pajtohej me Gorkin dhe miqësia e tyre nuk vazhdoi gjatë, por edhe pse armiq, ata mbetën të rëndësishëm për njëri-tjetrin. Midis novelave, që përshkruajnë hapur këtë evoluim e tij si shkrimtarë përmendim: “Në breg të lumit” (1900), “Na ishte një herë”, “I huaji” (1902). Krijime të tjera, si: “Në dritare” (1899), “Përkrenarja e madhe” (1899), “Rrëfim për Sergei Petroviçin” (1900), “Qyteti” (1902), “Mendimi” (1902), secila në mënyrën e vet paraqesin, pasojat shkatërrimtare të solipsizmit dhe lënë të kuptosh, megjithëse tërthorazi, se protagonistët e kanë vetë mundësinë të çajnë rrethet vicioze, në të cilat ata janë mbyllur. Vuajtjet e fëmijëve, të shkaktuara nga mospërfillja e të rriturve dhe shoqëria e tyre, janë përshkruar në krijimet: “Petka në fshat” (1899), “Engjëlli i vogël” (1899) dhe “Dhurata” (1901), ndërsa: “Honi” (1902) dhe “Në mjegull” (1902) bëjnë fjalë për mungesën e përgatitjes së të rinjve në fillim të seksualitetit të tyre. Fëmijët dhe adoleshentët mund të cilësohen si viktima të solipsizmit vetjak ose kolektiv të të tjerëve. Një situatë të kundërt kemi te “Heshtja” (1900) dhe “Në vendin e largët plot mjegull”, “Hija e largët” (1900), ku prindërit janë përjashtuar nga bota e fëmijëve të tyre./Konica.al
Mos vallë janë rrethanat e një fati të përcaktuar, që e shtyjnë individin në solipsizëm, apo mos inkriminohet vetë jeta? Duket se nuk ka rrugëdalje për heronjtë e tregimeve “Mashtrimi” (1900) dhe “E qeshura” (1901), që përballen me pamundësinë e realizimit të ëndrrës për t’u bashkuar me vajzat që duan. Në tregimin “Muri” (1901), ku lebrozët vdesin rrëzë murit, të cilin nuk munden ta kapërcejnë, mezi shfaqet një vrull pozitiv, i cili, sipas L. Andrejevit, ekziston në përmbajtje. Por, po t’i lexosh me vëmendje, në tregimet dhe novelat e tij të para shfaqet njëfarë optimizmi, me gjithë pozicionin e autorit si mjek e pacient njëkohësisht, ende i pashëruar plotësisht nga sëmundja, për të cilën shpreson të gjejë ndonjë ilaç. Kjo vështirësi pasqyrohet në përvojat e tij strukturore e artistike. Herë-herë, ai përdor mënyra narrative për situatat në të cilat largësia midis tregimtarit dhe protagonistit thjeshtohet në minimum, madje e heq fare atë, në dobi të mbizotërimit të së parës. Gjetkë, ai përdor një larmi procedimesh stilore për të theksuar përshtypjet e forta të kërkimeve të tij psikologjike. Në vitet 1903-1906, krijimet e tij dallohen për mjeshtërinë artistike, gjerësinë filozofike dhe depërtimin psikologjik, pa humbur sensin e urgjencës dhe mprehtësinë e krijimive të mëparshme. Përkundrazi, sa më shumë shpejtohej ritmi i krizës shoqërore e politike, aq më shumë mbizotëruesja në veprat e tij bëhej apokaliptike dhe toni i tyre bëhej më çjerrës. Duke filluar nga fundi i vitit 1908 prodhimtaria letrare e Leonid Andrejevit lidhet para së gjithash me botimin e dramave, si: “Ditë të jetës sonë” (1908), “Maskat e zeza” (1908), “Anatema” (1909), “Anfisa” (1909), “Gaudeamus” (1910), “Oqeani” (1911). Nga veprat në prozë të kësaj periudhe, të cilat ishin sporadike, mund të përmendim kryeveprën polemike “Shënimet e mia” (1908), një roman që nuk pati sukses: “Sashka Zheguljov” (191 ), “Ai” (1913), romanin e tij të fundit të përfunduar: “Nën thundrën e luftës” dhe “Ditari i Satanait”, shkruar më 1919 e botuar më 1921, pas vdekjes së autorit.
Në vitin 1916, Andrejevi luajti një rol të dorës së parë në gazetën e përditshme peterburgase “Russkaja volja” dhe e priti revolucionin e shkurtit si përmbushje të shpresave të tij për një të ardhme demokratike. I pikëlluar nga kthesa e ngjarjeve gjatë pranverës dhe verës të vitit 1917, ai me anën e artikujve plot pasion u përpoq të pengonte baticën e stuhishme të kaosit që kishte mbërthyer Rusinë. Midis artikujve të fundit që botoi “Russkaja volja”, dy prej tyre përmbanin sulme personale të ashpra kundër V. I. Leninit dhe një thirrje Aleatëve për ta shpëtuar Rusinë nga rreziqet e njëkohshme që e kërcënonin: nga gjermanët, jashtë Petrogradit, dhe nga bolshevikët, brenda tij. Por ishte tepër vonë. Kur këta të fundit morën pushtetin, Leonid Andrejevi shkoi në Finlandë, ku edhe vdiq më 12 shtator 1919, në moshën dyzetetetëvjeçare./Konica.al