U luajtën ditën e sotme, dy takimet e para të nisura në orën 18:55 në Champions League, dhe rezultatet surprizë nuk munguan.
Club Brugge ka befasuar të gjithë të pranishmit në Santiago Bernabeu, duke shënuar golin e avantazhit në minutën e 9’ të takimit. Emmanuel Dennis ka realizuar nga brenda zonës me shumë fat, pasi doli huq në tentativën e tij me të djathtën, por mrekullisht topi është përplasur te këmba e majtë dhe shkon në rrjetë.
Reali nuk arrin të reagojë pas golit dhe ndodhet në një gjendje shoku teksa gjysmë ore më pas Dennis ka dyfishuar rezultatin. Nigeriani edhe njëherë tjetër dukej sikur do të rrëzohej nga momenti në moment, por prapëseprapë ka arritur të shënojë golin e dytë.
Reali hidhet në sulm pas pushimit dhe ushtron presion ndaj belgëve. Në minutën e 55’ erdhi goli i parë i vendasve nga Sergio Ramos. Një gol që në fillim u dyshua për pozicion jashtë loje, por VAR e ka cilësuar të rregullt.
Pas shumë tentativash, ishte Casemiro ai që shënoi golin e barazimit pak sekonda pasi kapiteni i miqve Vormer ka dalë me karton të kuq nga fusha. Mesfushori brazilian Casemiro ka fituar dyluftimin ajror brenda zonës kundërshtare duke dërguar topin në rrjetë.
Real Madridi mbetet në fund të renditje së grupit A të Champions League pas barazimit 2-2 ndaj Club Brugge në Santiago Bernabeu.
Befasi totale edhe në takimin tjetër mes Atalantës dhe Shaktar Donjetsk. Miqtë nga Ukraina fituan 1-2 me përmbysje, në takimin që u luajt në “San Siro”, me një gol në sekondat e fundit.
Me Berat Gjimshitin në stol, takimi për Atalantën filloi në mënyrën më të mirë të mundshme. Golin që Josip Iliçiç nuk e realizoi nga penalltia në minutën e 16-të, e shënoi Duvan Zapata në të 28-ën me kokë. Por, ukrainasit nuk ishin dorëzuar, dhe në të 41-tën barazuan me Moraes.
Teksa dukej se takimi do përfundonte në barazim, një kundërsulm në minutën e 95-të, solli edhe golin e dytë për Shaktarin, shënuar nga Solomon, që i dha 3 pikë miqve, ndërsa Atalanta mbetet në vendin e fundit me 0 pikë.