MENU
klinika

Qytetarët privohen nga drejtësia

Këshilli bashkiak kundërshton shkrirjen e gjykatës së Sarandës

31.10.2019 - 19:40

Studimi që parashikon shkrirjen e Gjykatës së Sarandës si pjesë e riorganizimit të institucioneve të drejtësisë u kundërshtua.

Anëtarët e këshillit bashkiak, por dhe njërëzit e sistemit të drejtësisë,, thonë se kjo do ti privonte banorët e katër bashkive jugore nga kërkimi i drejtësisë.

Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë parashikohet të shkrihet, si pjesë e një studimi për riorganizimin e institucioneve të drejtësisë.

Ajo u shërben banorëve të Sarandës, Delvinës, Finiqit dhe Konispolit, ndërsa plani parashikon që çështjet do të transferohen drejt Gjirokastrës, Vlorës apo Fierit.

Duket se ky projekt ka ngjallur shqetësime mes banorëve dhe kundërshtime në këshillin bashkiak.
Gjergji Imeraj, avokat dhe anëtar i këshillit bashkiak, thotë se nësë miratohet shkrirja e Gjykatës së Sarandës do të privonte qytetarët nga kërkimi i drejtësisë.

“Për shkak të largësisë, për shkak të pamundësisë, për shkaqe të tjera të cilat shtojnë koston për ta kërkuar këtë të drejtë ata do ta humbasin këtë të drejtë dhe nuk do të kenë mundësi të paguajnë studion ligjore, transportin.” thotë Gjergji Imeraj.

Në gjykatën e Sarandës, thonë se ende nuk ka diçka konkrete, veç një drafti të ekspertëve të Euralius.

“Pasi të merret një vendim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me këtë studim, atëherë do të merren mendimet e grupeve të interesit.” tha Xhevahir Guri.

Debate dhe kundërshtime për këtë plan pati edhe këshilli bashkiak të Sarandës, aty ku ka nisur hartimi i një rezolute që do t’i dërgohet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ku kërkohet që gjykata jo vetëm të mos shkrihet, por të forcohet.