Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg, e cilësoi Shqipërinë avokate të fortë për anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit në aleancë.
Në një konferencë për media pas takimit me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, Stoltenberg deklaroi se Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm në stabilitetin dhe paqen e rajonit.
Ndër të tjera, duke thënë se NATO po investon për bazën e re ajrore në Shqipëri, që do të forcojë sigurinë në këtë vend, Stoltenberg u shpreh se vitin tjetër vendi ynë do të marrë rol të rëndësishëm në sigurinë botërore, në OSBE.
“Ju luani rol të rëndësishëm, duke siguruar më shumë sigurinë në Ballkan. Me misionet që ka në Afganistan, për të luftuar terrorizmin në rajonin e baltikut, duke dërguar forca në Lituani. Të gjitha këto tregojnë angazhimin e Shqipërisë në NATO. NATO po realizon një bazë të re në Shqipëri, që do forcojë sigurinë në vendin tuaj. Vitin tjetër Shqipëria do marrë rol të rëndësishëm në sigurinë botërore, në OSBE. Është jetike.
Bashkëpunimi i NATO me OSBE është shumë i rëndësishëm. Gjatë takimit diskutuam dhe rëndësinë e ndarjes së barrës me aleancën. Shqipëria ka investuar më shumë në mbrojtje. Diskutuam dhe situatën në Ballkanin Perëndimor. Falënderove Shqipërinë në rolin e dhënë në rajon për stabilitet dhe paqe.
Shqipëria është një avokat i fortë për anëtarësimin e vendeve të tjera për në NATO. Shqipëria ka ratifikuar protokollin e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe pres me padurim që ky vend të anëtarësohet sa më shpejt”, tha shefi i NATO.