MENU
klinika

Mazhoranca e bindur për të mbyllur mandatin e saj

Spiropali-Bashës: Do të presësh zgjedhjet e ardhshme

30.10.2019 - 11:57

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme por qeveria është e vendosur që të mbyllë mandatine saj të dytë deri në fund.

Në një reagim ndaj deklaratës së Bashës, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali thotë se Basha duhet të presë zgjedhjet e radhës për t’u rikthyer në pushtet.

“Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare duhet të presin zgjedhjet e radhës per t’u rikthyer në Parlament, prej ku u larguan vullnetarisht me daullet e fitores imagjinare! Qeveria dhe shumica jonë e votuar për të qeverisur 4 vjet, kanë shumë detyra e punë për të realizuar deri në përfundim të mandatit, në respekt të kontratës me shqiptarët. Ata që e grisën kontratën me zgjedhësit e tyre, nuk kanë asnjë të drejtë po as edhe një shans gjithashtu, të grisin kontratën tonë”, shkruan Spiropali.

Spiropali thotë se qeveria nuk ka koha për të humbur, prandaj në dhjetor do të votojë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Ne po përgatitemi për dy sezone të reja betejash në çdo drejtim dhe për një Shqipëri më të mirë në çdo fushë të jetës. Nga ana tjetër, sa më shumë Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare refuzojnë dialogun për reformën zgjedhore, aq më pak kohë kemi ne për të humbur me ta. Brenda dhjetorit do te votojme Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe do të vazhdojmë më tej me pikat kyçe të procesit të integrimit europian, duke përdorur si hartë drejtuese rezolutën e Bundestagut, si edhe të gjitha pikat e tjera të programit tonë për Shqipërinë që duam”, shprehet Spiropali.