MENU
klinika

'Tërmetet politike'

“Stuhi në Shkup”, mediat greke shkruajnë për M. e Veriut

19.10.2019 - 16:48

Vetoja nga Franca shkaktoi ngjarje politike në Maqedoninë Veriore, “Stuhi në Shkup pas ‘jo’ së thënë nga BE-ja”, “Dëshpërim në Maqedoninë Veriore”, “Tërmet politik në Shkup”, janë një pjesë e komenteve të mediave greke pas përfundimit të Samtit të BE-së, ndërsa ngjarjet në vend ishin pjesë edhe edicioneve të mbrëmshme të lajmeve në televizionet greke, por edhe në faqet kryesore të botimeve të gazetave të sotme, njofton korrespondentja e MEDIAL-s nga Athina.

Mediat në Greqi i transmetojnë deklaratat e njerëzve të parë të Eurokomsionit, Zhan Klod Junkerit dhe Këshillit Evropian, Donald Tuskut dhe shefit të shtetit francez Emanuel Makron, por edhe presidentit Stevo Pendarovski, duke informuar për takimin e jashtëzakonshëm të liderëve të caktuar për të dielën, ndërsa gjatë ditës së djeshme kanë shkruar edhe për dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev.

Televizioni grek Antena komentoi se Franca e bllokoi perspektivën evropiane të Maqedonisë Veriore, ndërsa televizioni shtetëror ERT, në edicionin qendror të lajmeve, komentoi se ekziston dëshpërim në Maqedoninë Veriore.

Paralelisht mediat në Greqi i transmetuan edhe qëndrimet e kryeministrit grek Kirjakos Micotakis, i cili dje në konferencë për media nga Brukseli tha se rezultati nuk është i mirë as për Ballkanin e as për Greqinë, duke folur për zgjerimin e Unionit, gjegjësisht siç tha për çështjen “për të cilën për fat të keq nuk arritëm të dakordohemi”.