Përshëndetja ushtarake që futbollistët e kombëtares turke bënë pas golit ndaj Shqipërisë dhe Francës në dy ndeshjet e fundit ka pushtuar mediet europiane dhe jo vetëm.
UEFA ka nisur hetimet, edhe pse rreziku më i madh është gjoba. Ndërkohë, teksa klubi gjerman St.Pauli mori masa ndaj futbollistit Cenk, duke e përjashtuar, edhe Schalke po mendon ta shesë Kabak në janar.
E njëjta gjë po mendohet në Itali, të paktën nga tifozët e Milanit dhe të Juventus. Një pjesë e mirë e tifozëve kuqezi dhe bardhezi kërkojnë të largohen Calhanoglu dhe Demiral nga skuadrat e tyre respektive.
Përshëndetja ushtarake që ata bënë së fundmi lidhet me përkrahjen ndaj sulmeve me armë në Sirinë Veriore nga Turqia.
“Zhdukini nga Serie A! Nuk na duhen këto futbollistë! Merrni masa, futbolli duhet të bashkojë!”, – shkruajnë shumica e komentuesve në Twitter.