Demokratët amerikanë kanë thënë që dy skandalet që aktualisht përfshijnë administratën Trump kanë diçka të përbashkët: Rusinë.
Kryetarja e demokratëve Nancy Pelosi pyeti Presidentin Donald Trump javën e kaluar: Pse të gjitha rrugët çojnë te Vladimir Putin?
Pelosi po i referohej vendimit kaotik dhe të papritur të presidentit për të tërhequr forcat amerikane nga kufiri sirian-turk. Por spektri i Rusisë lidhet gjithashtu me skandalin e Ukrainës.
Përfshirja e Rusisë është një temë e vjetër për demokratët, dhe na kthen pas në kohë, në vitin 2016, kur thuhej se Trump ishte “kukulla” e Putinit.
Kështu që nuk është për t’u habitur që zyrtarët nga administrata e ish-presidentit Barack Obama janë duke e lidhur Rusinë me skandalet e Sirisë dhe Ukrainës.
Nëse Trump do të ishte “kukulla” e Putinit, atëherë presidenti amerikan kurrë nuk do të kishte shitur raketat anti-tank të Ukrainës në radhë të parë. As nuk do t’i kishte dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës, të cilën paraardhësi i tij e kishte refuzuar.
Me Sirinë, Pelosi dhe Demokratët e tjerë kanë disi të drejtë. Tradhtia e Trump ndaj Kurdëve që ndihmuan në mposhtjen e Shtetit Islamik i sjell dobi Rusisë.
Në të njëjtën kohë, nuk ka asnjë provë që Trump ‘’preu kordonin’’ aq papritmas për shkak të ndikimit të Putinit.
Për më tepër, ish-zyrtarët e administratës Obama nuk janë në gjendje të kritikojnë politikën e Sirisë së Trump. Politika e tyre bëri të njëjtën gjë. Administrata e Obamës dështoi të parandalonte Rusinë të krijonte baza ushtarake në Siri në vitin 2015, duke i dhënë forcës ajrore të Putinit kontroll të efektshëm në pjesën më të madhe të hapësirës ajrore të vendit.
Gjatë dy viteve të gjysmës së parë të presidencës Trump, shumica e Uashingtonit zyrtar ishte në një gjendje spekulimesh për shtrirjen e ndikimit të Putinit tek Trump.
Në fund të një hetimi, Këshilltari Special, Robert Mueller nuk gjeti prova për një komplot midis fushatës Trump dhe Rusisë gjatë zgjedhjeve të 2016-ës.
Ekziston një shpjegim shumë më i thjeshtë për vendimmarrjen e Trump në Ukrainë dhe Siri: Presidenti është një shkatërrimtar.
Ai nuk vlerëson aleancat e Amerikës. Ai justifikon abuzimin e tij me pushtetin sepse është i bindur se kundërshtarët e tij politikë janë më keq se ai. Nëse ai fiton rizgjedhjen, ai do të abuzojë me pushtetin e tij edhe më shumë.
Ky është rasti perfekt, që demokratët të bindin shumicën e amerikanëve se Trump nuk është i përshtatshëm për postin që ai mban.
Eli Lake, Bloomberg