Akti Normativ i buxhetit 2019 i propozuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë synon ruajtjen e parametrave kryesor të buxhetit të miratuar në fillim të vitit.
Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar, ndërkohë që të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit pësojnë sistemime të vogla mes zërave, efekt ky neutral për buxhetin e shtetit.
“Bazuar në performancën makro fiskale e buxhetore të 6-mujorit 2019, në gjykimin tonë, Akti Normativ që ju propozojmë do t’i japë zgjidhje disa problematikave të hasura gjatë implementimit të deritanishëm të buxhetit të shtetit, duke mundësuar arritjen e objektivave të rëndësishme si ruajtjen të pandryshuar të nivelit të planifikuar të parametrave kryesorë makroekonomikë, garantimin e financimit të nevojave të pushtetit vendor, garantimin e financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, për përballimin optimal të situatës emergjente, rritjen e eficencës së përdorimit të burimeve publike nëpërmjet rialokimeve mes zërave të shpenzimeve, si dhe rritjen e sigurisë në realizimin e treguesve të buxhet”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë diskutimit të Aktit Normativ në Kuvend.
Po ashtu, përmes tij bëhen rishpërndarje brenda zërave të shpenzimeve të buxhetit, të cilat sigurojnë financimin për disa zëra sensitiv të shpenzimeve korente, si fondi rezervë, skema e fermerëve, skema e PAK-ut, arsimi i lartë, rendi, mbrojtja, etj.
Konkretisht, tek ministria e Brendshme kalojnë 450 milion lekë për orët jashtë orarit për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ushqim e orë pune FNSH/kursantët, si edhe 30 milion lekë për pagat e Gjendjes Civile.
Ministrisë së Mbrojtjes i shtohen 120 milion lekë për mirëmbajtjen e sistemit ‘Palantir’ dhe 330 milion lekë për misionet jashtë vendit.
Ministrisë së Shëndetësisë i shtohen 300 milion lekë për skemën e PAK-ut, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019.
Ministria e Arsimit merr 300 milion lekë për arsimin bazë, si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, dakordësuar në janar 2019.
Në kuadër të financimit të skemës së fermerëve qeveria i shton një fond prej 200 milion lekësh ministrisë së Bujqësisë për kompensimin e çmimit të qumështit.
Krahas ruajtjes së parametrave kryesore të buxhetit qeveria përmes këtij Akti Normativ parashikon të rrisë dhe performancën e shpenzimeve kapitale nëpërmjet shpërndarjes së burimeve dhe rishpërndarjes së fondeve drejt projekteve të investimeve publike, të cilat rezultojnë me progres të mirë deri tani, me qëllim arritjen e nivelit të programuar të tyre për vitin 2019. Kjo, gjykuar edhe nga trendi ndër vite i realizimit të investimeve publike, ku punimet përqendrohen, kryesisht, në tremujorin e fundit.
Konkretisht, ky Akt Normativ i garanton ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës një financim prej 1 miliardë lekësh financim i huaj për të mundësuar avancimin e punimeve në by-pass-in Fier dhe përfundimin e një krahu të rrugës.
Po ashtu, një financim prej 370 milionë lekësh për shpronësimet në objektet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Fondit Shqiptar të Zhvillimit i akordohen 800 milionë lekë për avancimin e projekteve kryesore të programeve të zhvillimit.
Ministria e Kulturës merr 200 milionë lekë për shtimin e ritmit të punimeve për rikonstruksionin dhe pajisjet e godinës së TKOB, për të mundësuar përfundimin e këtij projekti të rëndësishëm brenda afateve të parashikuara.
Ndërsa 200 milion lekë shkojnë drejt ministrisë së Bujqësisë për vazhdimin e financimit të projekteve me fokus mbrojtjen e argjinaturave lumore, dhe sistemin e kanaleve ujitëse.
Edhe ministria e Financave do të marrë 125 milionë lekë për blerjen e pajisjeve për “Polin e Drejtësisë”.
Për rikonstruksionin e godinës së Maternitetit të Vjetër ministrisë së Shëndetësisë i jepen 90 milionë lekë. Bashkia Tiranë po ashtu merr 1 miliardë lekë për avancimin e punimeve për projektin e “Bulevardit Verior dhe Rehabilitimit të Lumit të Tiranës”.