MENU
klinika

Sot shkova në Durrës...

Ah… sa dhimbje, sa dhimbje therëse

29.11.2019 - 17:48

Sot shkova në Durrës… ishte ndryshe.
Sot shkova në Durrës dhe pata frikë.
Nuk isha vetëm, por prapë kisha frikë.

Durrësi i gjunjëzuar largoi nga gjiri i tij 49 persona të pajetë, të mbetur nën gërmadhat e ndërtesave që deri dje, ishte strehëz e ngrohtë e një familjeje të lumtur.

Ishte heshtje, heshtje morti mbase aq sa të therte në zemër.
Sot shkova në rrënojat e familjes së ndjerë Lala.
Ah… sa dhimbje, ah.. sa dhimbje therëse.

Valixhja kishte mbetur hapur, kavanozi me turshi domatesh ishte i thyer e copëtuar në cepin e atij që, dikur quhej oborr dhe ende qëndronte aty. Nuk shikoje shume, tarraca e shtëpisë e kishte fundosur gjithçka brenda, bashkë me të dhe shpirtrat e tyre./Konica.al
Rrobat i shihje kudo, paksa edhe një derë të thyer të kapte syri, por rrënojat nuk mungonin, blloqe te mëdha betoni, kolona të thyera në mes, hekura themelesh të deformuar… a thua, se ka pasur vërtet aq tmerr, apo thjesht me frymë është shembur?!

Dukej e ftohtë, e rrethuar me shiritat e policisë që nuk të lejonin t’i shkoje shumë afër. Ndalonin kalimtarët, mbase dhe të afërmit, e shihnin me duart në fytyrë, sytë e enjtur nga e qara dhe rrobat e zeza, pllakosëse të zisë. Rrotull ishte lagështirë, mbase nga shiu i mbrëmshëm, por gjithçka ishte e rëndë. Pashë dhe kovën që lanin shtëpinë, legenin e gjysmuar që vetëm para 3 ditësh e përdornin për të nderur rrobat.

Për habinë time, banesat e komshinjve ishin në rregull. Prej tyre, nuk ishte prekur asgjë, madje as krisje…
Duket se për Sahdeten, Ilirin, Marjetën, Griseldën, Amelian, Emilion, Dionisën dhe Enisin, kështu ishte shkruar… të qëndronin aty, të mos e braktisnin ngrehinën e tyre, deri në vdekje.

Po çfarë menduan të vegjlit, mëngjesin e tmerrit, a ishin të paktën përqafuar?
Po prindrit, gjyshërit? A e dhanë shpirtin duke qarë për jetën e fëmijëve, apo thjesht, tmerri nuk i la të mendonin kaq gjatë?

E kush e kishte menduar?! Gjyshja e shtëpisë kishte përgatitur dhe zahirenë e dimrit, mbase po përgatiteshin për të pritur ndërrimin e viteve të gjithë bashkë… edhe tani, do t’i presin bashkë, por jo në shtëpinë e tyre 4-katëshe.

Ku i dihet…

Ndërkaq familjarë, të afërm, komshinj, por dhe kalimtarë, kurrsesi nuk mund të rrinin pa qëndruar më dyert e hapura të mortit… Ah… dhimbje, kaq shumë dhimbje. Dhimbje që zemra vështirë e mban, dhimbje që zemrën ta çan.

Frika ende nuk kishte kaluar, madje… madje, do të vijojë.

Njerëzit të shikonin çuditshëm e shpesh, pyesnin njëri-tjetrin, në heshtje “A po bie sërish? – Jo, jo, thjesht na duket ne.”

Shumicën e personave që ndesha në rrugë ishin të veshur me të zeza, ashtu siç zakoni shqiptar e do në raste morti.

Qyteti mban zi, Shqipëria mban zi… 49 të rinj, fëmijë, të moshuar tashmë s’janë më.

Qytetin me erë jodi nga deti Adriatik dhe Vollgën e bukur, e pashë të gjunjëzuar, të lodhur dhe dorëzuar.

Sot shkova në Durrës…

 

Semiljana Azizi /Konica.al