MENU
klinika

"Repubblica": Kushtoi 80 mln euro

“Air Albania Stadium, leksion i vogël për Italinë”

19.11.2019 - 13:58

“Air Albania Stadium” ka kushtuar 80 milionë euro, sipas mediave italiane, ndërsa presidenti i FSHF-së Armand Duka, deklaroi mbrëmë se impianti i ri kushto 75 milionë euro.

Por kjo pak rëndësi ka tashmë, pasi çdo gja ka përfunduar dhe në stadiumin e ri u luajt ndeshja e parë, ajo me Francën, edhe pse Shqipëria humbi 0-2.

“Eshtë një leksion i vogël për Italinë!”. Me këto fjalë, arkitekti nga Fierenze, Marco Casamonti, në artikullin e publikuar nga prestigjozja “Repubblica”, ka prezantuar “Air Albania Stadium”, impiantin e ri në Tiranë.

Stadiumi u projektua pikërisht nga ai dhe u realizua brenda 3 vitesh, bashkë me një grup inxhinierësh e arkitektësh italianë dhe shqiptarë (plus 500 punëtorë dhe 6000 persona të përfshirë), aty ku dikur ishte ndërtuar pikërisht impianti origjinal sportiv i quajtur “Qemal Stafa”, i projektuar dhe dizenjuar në vitet ’30’ nga një tjetër arkitekt i Firenzes, Gherardo Bosio.

“Edhe në Shqipëri ka burokraci, por jo aq e rreptë! Shqipëria përcjell energji, në Itali diskutohet shumë, por duhen minimumi 40 impiante”, – tha Casamonti, 54 vjeç, themelues në vitin 1988 të studios “Archea Associati” dhe që ka projektuar ndër të tjera “Dacia Arena” të Udineses, por që do të realizojë edhe qendrën e re sportive të Fiorentinas.

“Air Albania” është një xhevahir, emblema se si bëhen gjërat kur ka dëshirë për t’u bërë”. Por, kurioziteti lidhet edhe me faktin se përveç 1700 tonelatave të hekurit që janë punuar në Shqipëri, materialet janë pak të shpërndara gjeograkisht:

materialet më të shumta janë italiane, dritat dhe led janë amerikane, ndërsa poltronat australiane. Ndërtesa frymëzon një teatër klasik dhe ka një pamje tribunash si Bombonera në Buenos Aires, por sheh edhe nga e ardhmja.

22 mijë vende, ka kushtuar 80 mln euro, 10 mln të financuar nga FSHF dhe 70 milionë euro nga firma private Albstar: 300 kolona, parking privat dhe zonë komerciale nëntokësore, kulla e gjatë 100 metra që pas një viti do të jetë edhe hoteli Marriot.

Risia është prania e 3 tribunave dhe jo 4 dhe është testuar edhe nga tërmeti: një muaj më parë tronditjet ishin 5,8 ballë, ndërsa ditën e ndeshjes 3,6 ballë.