MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Amerikanë, kështu po na vrisni…

13.11.2019 - 16:52

       Ka të ngjarë, që lexues të portalit, të cilët merren vetëm me titullin, ta shohin këtë si një ankesë ndaj Reformës në Drejtësi, ku amerikanët kanë rol kryesor. Në këtë pikë, nuk më ha meraku për klasën politike, qoftë majtas apo djathtas. Futet në burg ajo, apo dhe ata që do të shpëtojnë dhe do ta kalojnë jetën me “çip”, si kriminelët e zakonshëm që i mban nën kontroll policia. Për këtë kontribut, amerikanëve, u themi faleminderit dhe madje, shumë. Problemi është diku tjetër.

Presidenti kinez, është në një vizitë triditore në Greqi. Shtypi i huaj shkruan, se Europa po “ngre vetullat” për një projekt kinez, për Portin e Pireut, që i kalon 600 milionë eurot, për të shtuar kapacitetin akoma më shumë. Pireu është porti i 9-të për nga madhësia në Europë dhe i 39-ti, në botë. Po t’i shtosh faktin, se në 2014-ën, një rrëke tjetër parash të Europës, që qahet sot, shpie me linja të shpejta mallrat kineze po prej tij  në Serbi, Maqedoni dhe Bullgari, atëherë kupton ca më mirë, se çfarë po ndodh përreth nesh…  Para fare pak kohësh edhe Turqia nëpërmjet një treni shumëvagonësh, po bie në të njëtën mënyrë mallra po kineze, drejt Europës.

Duket se dhe investimi i vetëm i tipit strategjik, që lidhej me pozicionin tonë, po e zvogëlon rëndësinë, po nuk u lidh me një tjetër që ka emër të ngjashëm me të…

Kinezët janë në të drejtën e tyre dhe tani, 10 për qind e kapaciteteve portuale të Europës, janë në dorën e tyre, sipas shtypit botëror. Dhe nuk është çudi, që pas dhjetë vjetësh edhe një flotë e madhe kineze, si ajo që kanë amerikanët këndej rrotull, t’i vijë vërdallë zonave të tyre, për t’i mbrojtur këto interesa që tani për tani, përfaqësohen prej mallrave.

E po çfarë pune ke ti, or zotëri, e na mërzit veshët me histori të këtij lloji? E ca më shumë, çfarë faji na paska Amerika, në këtë histori? Amerikanët, fundja e paralajmëruan Greqinë, para një muaji nëpërmjet Pompeit, që të heqë dorë nga kjo strategji që favorizon Kinën?

Puna është e thjeshtë dhe ka lidhje më shumë sesa duhet, me Shqipërinë.

Pas tridhjetë vjetëve, nëse shprehemi me termat e vjetër, të gjithë trenat e saj kanë ikur dhe duket se përfundimisht, do na lënë njëherë e përgjithmonë në zanatin e të parëve… pra, thjesht barinj delesh. Po a na kanë faj amerikanët? Apo europianët?

Reth 20 vjet më parë, Presidenti Klinton, ndërmori idenë gjeniale që i parapriu edhe çlirimit të Kosovës. Nisma e tij ishte e lidhur me Korridorin e 8-të dhe studimin e fizibilitetit të porteve në Ballkan, duke dhënë dhe një goxha shumë për këtë fizibilitet. Dolëm në krye. U lumturova në atë kohë, akoma më shumë, duke ndeshur një studim të instituteve ushtarake amerikane, që vlerësonin pozicionin gjeografik të porteve tona. Ata theksonin shprehimisht për Durrësin, duke e quajtur si një nga tri portet më të rëndësishme të botës, ekuivalent me Roterdamin dhe Hamburgun. Dhe kjo, në pikpamje strategjike. Flitet për pozicion gjegrafik të Shqipërisë dhe porteve të saj, se në princip, këtë pozicion e mbante Vlora, për thellësinë dhe kushtet e tjera…

Në të vërtetë, paraardhësit e amerikanëve, nëpërmjet Maksim Blejkut, që në vitet ‘20-të, të shekullit të kaluar, kishin theksuar për Shqipërinë, se ishte qartazi Gjibraltari i Lindjes.

Po çfarë ndodhi realisht me nismën e Klintonit. Fajin e kishim ne, apo fqinjët e interpretuan iniciativën e tij, sipas interesave të tyre?

Së pari, Greqia me të drejtën e Perëndisë, i mbushi mendjen Europës, se Korridori i 8-të, apo “Egnatia e re”, si e quajnë ata, e zëvendëson nëpërmjet Portit të vogël të Igumenicës, Vlorën apo Durrësin. Dhe miliardat e europianëve, mbështetur dhe në studimet italiane, e aprovuan këtë çmenduri.

Italianët ishin si grekët, po në të drejtën e tyre. Atyre u mjaftonte Durrësi me potencialin e tij të vogël, për ta parë Shqipërinë, si një vazhdim të Italisë së Jugut. E po ashtu, në vend të Koridorit të 8-të, preferuan Rrugën Durrës-Kukës, si më normalen për të hyrë në zemër të Ballkanit.

Dhe kështu, rruga themelore e Shqipërisë, ajo e Korridorit të 8-të, që të shpinte drejt Stambollit, apo zemrës së Perandorisë romake të Lindjes, projektuar nga stërgjyshi ynë, Konstandini I Madh, mbeti dhe mbetet, rruga më e ngushtë e Shqipërisë.

Po nëse të tjerët merreshin me interesat e tyre, çfarë bënë agallarët tanë të politikës?  Të futur në sherre qymezesh, ia filluan t’u vinin në ndihmë interesave të fqinjëve…

 

Nano filloi me Sarandopulisin, të vijë nga Kakavija në drejtim të askujt… Brenda të drejtës së tij, Sarandopulisi, bëri ca gjysma rrugësh dhe gjysma urash, më të këqija se të vullnetarëve të Enverit dhe na mori aty nga ‘97-ta dhe nja ca miliona dollarë, se i kishim bërë dëme në makineritë etj., etj. Pastaj u zhduk, pa lënë gjurmë…

Berisha, e la dhe ai, Korridorin e 8 të dhe doli nga Kukësi, për ide patriotike. Nuk dalim dot në Kosovë, me rrugë që kalon nga një tokë e tretë – tha. Dhe kishte të drejtë, sipas mënyrës së tij, pavarësisht se me Koridorin e 8-të, hyhej po nëpër toka shqiptarësh. Dhe pastaj, po brenda të drejtës së një vendi sovran, siç është Serbia, duhet të presim që ajo, të na fusë nëpër Europë nëpërmjet Nishit. Natyrisht, kur ta shohë të arsyeshme…

Kur një firmë angleze duket paraqiti interes për Vlorën, u duk sikur drita u duk në fund të tunelit. As sot, nuk e di se çfarë u bë me ta. Ca thonë ishin mashtrues, ca të tjerë, se i mashtruan… I besoja dhe vazhdoj ta shoh me sytë e mendjes, atë zonën e kripores së Vlorës, si qendra ku mijëra ton mallrash tranziti, do të qëndronin në pritje… Eh… eh!

Gjermanët edhe ata në të drejtën e tyre, menjëherë pas shkatërrimit të Jugosllavisë, vrapuan të ndihmojnë aleatët e tyre natyrorë, kroatë dhe sllovenë. Duke bërë me shpejtësi korridoret që duheshin…

Këtë radhë, nuk kanë aleat Nanon dhe Berishën. Rama, i cili është prapa tyre në radhë, flet për “Korridor Veri-Jug”, që prapë, nuk ka lidhje me Korridorin e 8-të, por është zgjatim i interesave gjermane. Duket se, gjithë klasën politike të Shqipërisë e zë lemeria, kur flitet për këtë koridorin e 8-të… Ku po vemë, kur rrethi po mbyllet nga të gjitha anët?

Besoj se në këtë katrahurë, duke parë dhe qëndrimin me predispozitë zero të amerikanëve, ndoshta Anglia, pas Brexit-it, si Zonjë e Parë qindravjeçare e deteve, mund të ketë interes vërtet, t’i hedhë edhe njëherë sytë hartës sonë. Dhëntë zoti e na shpëton ajo.

Në një bisedë me Berishën, ato kohë, kur flisnim për portet, i thashë të bënte një nga truket e njohura të Ahmet Zogut, që për t’u shpëtuar italianëve, i bënte punët natën, me ministrin Libohova… Kur mbyllej telegrafa e nuk përgjonte dot njeri. Të thoshte, se do ta jepte Vlorën me koncension kinezëve, për të mbledhur “qenërinë” rrotull saj. Pra, thjesht të shtonte interesin, apo t’u kujtonte të tjerëve, se i dinim mirë punët tona.

Për t’i rënë shkurt, meqë e kam shkruar shpesh dhe natyrisht, do ta bëj sa të më mbajë dora. Si pika më e shkurtër, jo vetëm për Ballkanin po ca më shumë, që të lidh me Gjibraltarin, Shqipëria nëse bën Korridorin e 8-të dhe e lidh me 10-tën në Maqedoni, bëhet bashkë me këtë të fundit, Zonjë e Ballkanit. Po a do ta bëjë? Për tridhjetë vjet rresht, nuk ka bërë asgjë dhe të gjithë trenat e kanë lënë. Kemi mbetur thuajse një vrimë e zezë, apo nevojtore e Europës.

 

A na kanë faj të tjerët? Amerika, besoj po! Nëse na shpëtoi nga shumë gjëra, nuk ka pse të na varrosë për këtë. Nëse Pompei u thotë grekëve të mos bien kinezët, se është histori me zarar, le të vijë të merret me Shqipërinë, si i madhi Klinton. Ose në na lëntë rrugëve, le të na lërë të shtrihemi edhe ne, në këmbët e Kinës.

Amerikanët, apo mbrojtësit më të mëdhenj të Shqipërisë, nuk duhet të na lënë në mëshirë të fatit. Një Shqipëri e dobët, që zvarritet dhe boshatiset përditë, nga një politikë e keqe ditore, e atyre që e kanë udhëhequr, nuk e meriton këtë fat.

Amerikanët, duhet të na ndihmojnë. Pa dashur t’u jap mend, është më mirë të shkojmë të gjithë në Vlorë, se të zëmë e të bërtasim për Kinën dhe ekspansionin e saj… Apo le të na thonë. S’ka rëndësi. Bëhuni barinj malesh, si gjyshërit tuaj…

Po këtë lloj Shqipërie, nuk e duam. Gjyshërit do të na mallëkonin, nga varri si bastardë që prishëm dhe shitëm atë që na lanë…

Dhe gjyshërit, do të na mallkojnë me të drejtë. Dy, nga pesë arteriet më të mëdha të botës, për të cilat, Amerika të hap luftë në sekondë, pa pyetur ligje, i kanë ndërtuar gjyshërit tanë, Konstandini i Madh dhe Mehmet Aliu.

Nuk e di se çfarë po bëhet, por vetë kam të drejtë të them: Amerikanë, kështu po na vrisni!