MENU
klinika

Nga Ben Andoni

‘Tradhtarët’, korrupsioni dhe përdorimi i heronjve

01.05.2024 - 18:28

Në kulmin e fushatës mediatike pro\kundër kryebashkiakut Velia dhe sidomos përballjen e zyrtarëve shqiptarë me SPAK-un, deputeti Petro Koçi ka tërhequr vëmendjen me propozimin për një draft, që mund të shërbejë si amendament në Ligjin e Dekriminalizimit, që konsiston në largimin e figurave të përfolura dhe sidomos ata që kanë dëshmi të veprimtarisë kundër interesave të Shqipërisë. “Spunto ka qenë nga rasti Beleri, por praktikisht nuk e kap rastin Beleri pasi ajo është një çështje që është duke u mbyllur dhe fakti që kandidon në një shtet tjetër i heq atij çdo lloj shansi për të qenë në krye të bashkisë së Himarës. Në rastin Belerit sistemi ynë ligji e kishte të pamundur për ta penguar”, sqaroi në një dalje publike në media Petro Koçi. Në fakt, autoritetet shqiptare po të kishin ndihmën e autoriteteve greke, kur u janë kërkuar të dhëna për rastin “Bejleri” mund të ishte më aktiv, porse jo vetëm nuk u insistua për të por edhe u riciklua. Problemi më i madh ishte propozimi i emrit të Bejlerit nga një parti, që jo pak herë ka krijuar shqetësime, ashtu si edhe mbështetja e opozitës për figurën e tij. Ndër ta, ish-presidenti Meta, politikani që përmend më shumë patriotizmin dhe që tashmë e përdor deri në shëmti. Epigrami cinik i Oscar Wilde: “Patriotizmi është virtyti i të ligut”, si vazhdim i postulatit të Samuel Johnson në 1775: “Patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve” ka zenë vend në Shqipëri. Pasi, virtyti i patriotizmit është kompromentuar dhe përçudnuar kur është bërë thjesht për interes vetjak nga ata që janë në pushtet.

Deputeti Koçi mendon se, nëpërmjet kësaj dispozite do të shpëtojnë edhe vetë subjektet garuese nga tundimi elektoral përballë idealeve kombëtare. Fjalë dhe ide të mëdha, që duke vlerësuar nismën dhe integritetin e ligjvënësit Koçi nuk shkojnë me perceptimin e sotëm dhe atë të djeshëm ndaj partive tona. Sot, e kësaj dite, nuk ka Mea Culpa dhe as përgjigje zyrtare për kontrabandën në kohën e Luftrave në ish-Jugosllavi dhe takimet me Arkanin, nga politikanët e djeshëm dhe të sotëm të PD-së. Sot, e kësaj dite, nuk ka një qëndrim zyrtar për qëndrimin që u mbajt për Luftën e Kosovës nga PD, as për takimin e ish-kryeministrit socialist Fatos Nano me Millosheviç. Megjithë fuqinë që ka në tre mandate rresht, PS-ja nuk bëri deri më sot një përpjekje për një datë të unifikuar të festës së çlirimit, duke nxitur një marrëveshje të drejtë për Datën e Çlirimit.

Aman, politikanët kanë kohë të merren me heronjtë dhe tashmë është radha e ish-presidentit Meta, një figure aq të përfolur për përballje me SPAK-un, por që sot e kësaj dite nuk e ka gjetur as edhe shqetësimi më i vogël. Krahasimi dhe përmendja e stërlodhshme e Vojo Kushit, Mic Sokolit, Mujo Ulqinakut dhe Aljendes më parë nga Ilir Meta, më shumë se grotesk, ka qenë përqeshja më e madhe, që i është bërë publikut përmes kujtimit të martirëve, ashtu si qesëndia e Berishës me shumë nga heronjtë ndër kohë, por mbi të gjitha me ngërçin e datës së çlirimit, që e ka mbajtur pezull. Por çdo gjë është relativizuar sepse ata që i mbrojtën, më së shumti për interesat e ditës, iu duk si retorikë interesante. Ashtu si vetë PS-ja shkoi më tej me marrjen dhe përshtatjen e devizës: “Rilindja” duke e integruar si ideologji të saj, që në fakt sot është e tepërt me atë nivel korrupsioni të madh që ka vendi, ku PS-ja mbetet protagoniste. Kur kujton se Rilindja Kombëtare është një nga lëvizjet më emancipuese të identitetit shqiptar, atëherë kupton se çfarë i kanë bërë atdheut politikanët e sotëm. E vetmja gjë që mbetet është klithma: I lini Lëvizjet dhe heronjtë në paqësinë e tyre!

Korrupsioni është armiku më i madh sot i vendit, ashtu si sfida demografike, po për këtë mungojnë etiketimet dhe madje politikanët “patriotë” vetëm justifikohen. Ndërkohë,

edhe pse Shqipëria ka shënuar përmirësim të lehtë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2023, sipas raportit të fundit të Transparency International me 37 pikë nga 36 pikë një vit më parë (duke u renditur e 98-ta mes 180 vendeve) duhet referuar me rajonin, Shqipëria lë pas vetëm Serbinë, e cila renditet në vendin e 104, me 36 pikë, e cila s’ka përmirësim për të dytin vit radhazi. Mali i Zi është në vendin e 63 (46 pikë), Maqedonia e Veriut në vendin e 76-të (42 pikë) dhe Kosova që mbetet në vend, duke u renditur në vendin e 83 me 41 pikë, por që është më mirë se Shqipëria!

Njerëzit që bëjnë korrupsionin duket se janë armiqtë më të mëdhenj për një vend dhe këtë e ndjen kur shikon pacipësinë në vjedhjet me pasuritë publike dhe qesënditë që po i bëjnë SPAK-ut, njerëzit që paraqiten dhe ua përveshin gazetarëve dhe kolegëve politikanë. Ndërkohë, që Ministria e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit është ende në fillimet e saj me pritshmërinë e mekanizmave efektivë të integritetit. “Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe organizatat e shoqërisë civile dhe mediat mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”, thuhet në raportin e fundit të Transparence International për “patriotët”. A janë këta armiqtë e vërtetë? Për trupin e drobitur të Shqipërisë, pas kaq shumë vjedhjeve dhe përvetësimeve të pandershme, ata janë realisht makthi i vendit dhe përqeshja më e madhe, kurse përdorimi i heronjve, zakonisht bëhet nga të pandershmit, që patriotizmin kallp e kanë të rrënjosur në ADN-në e tyre. Por për fat të keq, ata kanë pushtet, ata gënjejnë publikisht dhe ata mund të nëpërkëmbin këdo nga martirët, që arrijnë t’ua përdorin emrat. Sa për Bejlerin ata kalojnë groteskun, që na fal kjo politikë e kryetarëve, që janë ngjitur me karrigen. Ndaj, kjo nismë tejet e vyer e deputetit Koçi ka të ngjarë që të kaloj pa asnjë interes nga politikanët e shumtë “patriotë” të vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN