Duket i pabesueshëm rikthimi i tij në shtëpi, në stolin e Barcelonës, por jo në Gjermani, ku po flitet për një “prapakthehu” të Pep Guardiolës te Bayerni i Mynihut.
Sipas tabloidit të njohur “Bild”, kampionët gjermanë e kanë kthyer vëmendjen nga ish-trajneri i tyre, për t’ia besuar sërish atij drejtimin e skuadrës bavareze. Thënë më shkoqur, Bayerni I Mynihut dëshiron ta kthejë trajnerin katalanas në “Allianz Arena”, verën e ardhshme.
Kjo, në funksion të procesit të emërimit afatgjatë të pasardhësit të Niko Kovac në fund të sezonit. Guardiola është pjesë e një liste të shkurtër të kandidatëve prej tre emrash. Trajneri i PSG, Thomas Tuchel dhe ai i Ajax Erik ten Hag janë dy kandidatët e tjerë, por edhe këta fliten për në fund të sezonit.
Guardiola e njeh mirë ambientin bavarez, ku fitoi tre tituj radhazi, nga 2013 deri më 2016, pa harruar kupat e Gjermanisë. Gjithashtu, trajneri spanjoll njeh mirë edhe gjuhën gjermane, dhe përshtatja e tij do të ishte shumë e shpejtë.
Guardiola ka kontratë me Manchester Cityn edhe për sezonin e ardhshëm, por duket se misioni i tij në Angli përfundoi. Dy tituj në 3 sezone, në një kampionat me shumë konkurrencë e bëjnë atë një ndër trajnerët më të suksesshëm në Europë, për të mos thënë më i miri i viteve të fundit.