Lev Shestov (1866-1938) është një nga figurat më të shkëlqyera të mendimit ekzistencialist, filozofi i vetmuar dhe i pavarur që vijoi në kundërrymë me konceptimet e Rusisë së epokës kur jetoi. Pas hamendësimeve racionale, ai denoncon një pozicion metafizik bazuar në dorëzimin. Për të, filozofia e vërtetë është revolta: ajo lind nga vetëdija tragjike. Nëse Kamy ose Blanshot arritën ta përjetësonin veprën ekzistencialiste në Francë, vepra e Lev Shestovit mbeti në hije. Gjithnjë ka bërë apel dhe ka sfiduar botën e ideve, duke luftuar kundër të gjithëve, duke përtërirë botë, një filozof përtej kuadrit./Konica.al
“Lev Shestov është filozofi që luftoi arsyen, ai u përpoq të kthehej në burimin e mendimit dhe të vinte në dyshim drejtimin që ajo merrte. Në këtë kuptim, ai ishte një antifilozof, sepse nuk reshti kurrë së luftuari traditën racionaliste në historinë e mendimit. Gjithnjë ishte paksa jashtë kontekstit: nuk ishte i krishterë, ishte brenda një filozofie fetare, por që në të vërtetë ishte formë e filozofisë ekzistenciale, ai është pararendësi i mendimit të ekzistencializmit”.
Filozofia e tij ka frymëzuar, ka motivuar dhe ka ushqyer më shumë se gjithkush mendimet e shkrimtarëve. Lev Shestov është lloji i filozofit që nuk shkon në shkollë, por që bëhet bashkudhëtar rruge. Ai frymëzoi Albert Kamynë, Bataj, Merlo-Ponti dhe Sartrë, pasi ishte pikërisht ai që e bëri të njohur Husserl në Francë. Pra, ai ishte më shumë një lundërtar dhe frymëzues, sesa model. Në formën e filozofisë së tij ekziston një lloj maksimalizmi, ndihet një burim intelektual rus, kjo formë e racionalizmit ekstrem e bën atë të mos jetë një filozof i lehtë për t’u ndjekur. Filozofi rus Lev Shestov njihet për faqet mbresëlënëse në “Filozofia e tragjedisë te Niçe dhe Dostojevski”, në “Ideja e të mirës te Tolstoi dhe Niçe” ose “Kierkegaard dhe filozofia ekzistenciale”. Nga libri i parë i autorit ndihet menjëherë theksi që vihet mbi tragjedinë, mbi ekzistencën e secilit individ, si e vetmja mënyrë për të eksploruar për filozofin, por këtu Shestov nuk niset as nga Dostojevski, as ngaTolstoi apo Niçe… por nga ai që e konsideronte atëherë si “profesorin e tij të parë të filozofisë”, Shekspirin.
“Mbarë bota është një teatër, të gjithë, burra e gra, janë aktorë”… – shprehet Shestov. Para së gjithash qasja e tij është, siç thotë ai vetë: “një kërkim i trazuar, i paduruar, i ethshëm”, i denjë për një personazh tragjik që kundërshton leximin racionalist dhe shkencor të Shekspirit, pasi dikush kundërshton domosdoshmërinë e fatit. Shestovit nuk i interesojnë ligjet, nuk është domosdoshmëria e botës së jashtme, por shansi, teatri i botës së brendshme, i cili luhet në botën shpirtërore të secilit. Objekti i filozofisë së tij: Është mirë të ndjekësh fatet e individëve deri në fund, të mësosh të shohësh jetën dhe të mos verbohesh nga mendimi, gjë që lejon vetëm tragjedinë, e cila të mundëson të zbulosh vetëm një Hamlet në gjendje të meditojë, por të paaftë për ta parë jetën ashtu siç është.
Lev Shestov lindi në Kiev më 31 janar, djali i parë i një familje të respektuar hebreje. Shtëpia e tij ishte një vend takimi për figurat më të spikatura kulturore të Kievit dhe Shën Petërburgut në atë kohë. Kishte një personalitet të fortë dhe reputacionin e një mendimtari të lirë në komunitetin hebre. Megjithëse Shestov besonte në Zot, ai pohonte se nuk ekziston diçka si fati apo vullneti hyjnor. Qëllimi i njeriut në jetë është të luftojë këtë iluzion, të pohojë vazhdimisht veten e tij subjektive gjithnjë në ndryshim. Është lufta për të kapërcyer sigurinë dhe pashmangshmërinë, që përcakton ekzistencializmin, siç shpjegohet në “Kierkegaard dhe filozofia ekzistenciale” (1934).
Nëse Zoti është absolut, atëherë asgjë nuk është e pamundur. E tillë mund të jetë filozofia e mendimit të Lev Shestovit, filozofit kundërshtues me moton – “me Zotin, pa mjeshtër” – ky dekonstruktor i idhujve, edhe pse i krishterë, i cili mbron lirinë absolute të besimtarit kundër të gjitha nevojave, si dhe filozofinë ekzistenciale kundër filozofisë spekulative. Kjo fije përçuese e çon emigrantin rus, mik i Berdiaev dhe Bulgakov, frymëzues i Albert Kamysë, të shpallë shpëtimin absurd kundër realitetit të paepur, shpalljen kundër arsyes: Biblën kundër Aristotelit – Jeruzalemin kundër Athinës.
Ai operon në të gjitha linjat intelektuale: ligjin moral, racionalizmin, teologjinë, tragjedinë. “Është e qartë, – shkruan ai në “Guxime dhe nënshtrime”, – se filozofia nuk konsiderohet si shkencë; filozofi nuk konsiderohet studiues, pasi i kërkohet të jetë i sinqertë. Filozofi natyrisht është para së gjithash një dëshmitar, pra ai dëshmon për diçka që nuk mund të verifikohet. Nëse është kështu, ai duhet të jetë i sinqertë dhe i vërtetë. Por si mund ta bëjë diçka të tillë?”./Konica.al