Nuk mund të mungonte në vigjilje të Shqipëri-Francë edhe komenti i ish-kapitenit të Kombëtares, Lorik Cana. Për “Ouest-France”, ai ka dhënë mendimet e tij për duelin, por edhe për të ardhmen e përfaqësueseve, apo edhe të tijën, duke zbuluar detaje interesante.
Franca është e kualifikuar, Shqipëria është e eliminuar. Çfarë interesi ka kjo ndeshje?
“Për mua është një ndeshje speciale, e cila vë përballë vendin timeem atë në të cilën luajta 10 vite në klube. Eshtë e vërtetë që në aspektin sportiv në lojë ka pakgjë, por do të jetë një ndeshje e veçantë pasi ne inaugurojmë stadiumin e ri.
Do të ketë një ceremoni me shumë ish-futbollistë të Shqipërisë të pranishëm në të cilën do të marr pjesë edhe unë, është diçka e bukur që ndodh në praninë e Kampionëve të Botës”.
Pas asaj që ndodhi me himnin në ndeshjen e parë, a do të ketë pritje armiqësore ndaj Francës?
“Jo, unë isha në stadium në atë ndeshje dhe padyshim ishte një episod i pakëndshëm dhe i pakuptueshëm për ne. Por ajo mbaron aty. Ky është një gabim njerëzor, të dy kombet kanë marrëdhënie shumë të mira dhe në Shqipëri në kemi sensin e mikpritjes.
Skuadra e Francës do të pritet mirë, respektohet, admirohet dhe nuk pres vërshëllima gjatë himnit”.
Pas pjesëmarrjes në Europian, Shqipëria nuk po paraqitet më në nivele të larta. Përse?
“Pas Europianit, kishte një ndryshim të brezit, trajneri Ganni De Biasi u largua dhe Christian Panucci dështoi që të vinte dorën e tij në ekip.
Tani është përsëri një italian, Edoardo Reja. Skuadra po rindërtohet, me disa lojtarë premtues që luajnë në Serie A. Ajo do të jetë konkurruese pas 2-3 vitesh”.
A ka dobësuar Shqipërinë krijimi i një ekipi përfaqësues të Kosovës?
“Aktualisht ajo krijoi një largim të talenteve dhe dobësoi Shqipërinë. Përveç kësaj, Kosova shkëlqeu në kualifikuese duke qenë në garë thuajse deri në fund. Kjo është diçka fantastike për një vend të vogël me 2 milion banorë”.
Cili është opinioni juaj për Francën, e cila nuk dominoi grupin?
“Unë jam i mahnitur pas kësaj skuadre, e mbushur me talentë të jashtëzakonshëm dhe e drejtuar nga një fitues me eksperiencë. E vetmja gjë që blutë duhet të kenë kujdes, është ambicia. Kjo është sfida më e madhe e Deschamps: të mbajë skuadrën të uritur, sidomos brezin e ri, i cili po përgatitet. Kjo do të bëjë diferencën”.
A ju pëlqen ndonjë futbollist në veçanti?
“Unë e njoh Mandandan mirë, unë isha kapiteni i tij kur nisi karrierën te Marseille. Pjesën më të madhe të të tjerëve i kam takuar si kundërshtarë. Më pëlqen Varane, një nga mbrojtësit e qendrës më të mirë në botë.
Kam gjithashtu shumë respekt për Giroud. Pastaj Franca është përforcuar me dy krahët e saj, Pavard dhe Hernandez. Ajo mund të mendojë të bëjë dyshen Botëror-Europian, si në 1998 dhe 2000”.
Një pyetje e fundit për ju. Çfarë bëni tani?
“Unë jetoj mes Shqipërisë dhe Italisë. Kur ndala së luajturi futboll, kalova kohë me familjen time. Dy vite më parë, krijova fondacionin tim “Lorik Cana 5″, i cili ka si qëllim të promovojë sportin për fëmijët në rajon shqipfolës të Ballkanit: Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi.
Që ata të kenë struktura, që ata të rriten me vlerat e sportit. Është për të vegjlit, nga 3 deri në 7 vite. Deri në fundin e vitit 2019, do të jenë 1000 fëmijë të kopshteve e shkollave publike që do të përfitojnë nga ky program”.
A do të dëshironit të ktheheshit përsëri në futboll?
“Pritet që të kem një eksperiencë të parë si drejtues gjatë vitit 2020 në një klub në Europë, nuk mund të them më shumë për momentin. Në Francë? Jo. Përse jo në të ardhmen, nëse më pëlqen kjo eksperiencë”.