Pas natës së djeshme të çmendur, ku u prodhuan shumë gola dhe përmbysje spektakolare, sonte Champions League dhuron shfaqjen e radhës, ku ndoshta do të ketë sërish surpriza.
Mbrëmja e sotme nis me dy skuadra prestigjoze (18:55) që zbresin në fushë për të kërkuar kualifikimin që në raundin e katërt. Bayern Munchen pret grekët e Olympiacos, ndërsa Juventus udhëton në Moskë për t’u përballur me Lokomotiv.
Gjermanët janë sërish favoritë për ta fituar këtë takim, pavarësisht se nuk kanë një trajner të parë. Në rast se marrin tri pikët, bavarezët kualifikohen dhe marrin edhe kreun e grupit.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Tottenham do të luajë në Beograd ndaj Crvena Zvezda-s. Në pamje të parë vlen edhe një pikë për anglezët, por për të mos komplikuar kalimin e grupit, nevojitet fitorja.
Edhe Juventus është komod dhe me moral të lartë. Gjithsesi, në Moskë nuk do të jetë shëtitje. Italianët vuajtën shumë edhe në Torino. Në rast se nuk marrin maksimumin, bardhezinjtë rrezikojnë kreun, pasi Atletico e kërcënon, duke kërkuar tri pikët në “Bayer Arena” ndaj Leverkusen.
Real Madrid pret Galatasaray. Gjigantët spanjollë nuk po kalojnë një moment të mirë dhe një tjetër ndalesë do të rrezikonte kalimin e grupit. PSG gjendet komode në këtë grup në krye, teksa ka edhe një ndeshje të lehtë me Club Brugge.
Për të ardhur tek Atalanta. Debutuesit e Champions do të kërkojnë pikën e parë në këtë kompeticion, teksa do të presin Manchester City-n. Dinamo Zagreb-Shakhtar Donetsk duket ndeshja direkte në këtë grup për vendin e dytë.