Ashtu siç u proklamua javën e kaluar, me shumë mundësi ndeshja Partizani-Tirana, që përkon me javën e 15-të të Superligës, do të luhet në stadiumin e ri “Air Albania”.
Të dy klubet kryeqytetase kanë rënë dakord për faktin që të luhet në stadiumin më të ri të Shqipërisë. Partizani, si pritës, po mendon që të lërë edhe një pjesë të biletave në menaxhim të FSHF-së, në mënyrë që të afrohet te qiraja e kërkuar.
Ndeshjet e javës 14-të do të luhen të premten dhe të shtunën, pasi java e 15-të, që përkon me derbin, do të zhvillohet në mesjavë. Sipas kalendarit, derbi do të luhet më 4 dhjetor, por është menduar më 5 dhjetor (të enjten), në orën 20:00.
I vetmi shqetësim është bari i fushës së impiantit të ri. Duke qenë se është një tapet i ri, bari është ende duke i lidhur dhe, në rast se do të ketë reshje të mëdha shiu, nuk do të luhet, pasi dëmtohet.