Sapo kemi filluar një sezon ku askush nuk mund të shpëtojë pa u prekur nga gripi.
Duke u përpjekur të shërohemi sa më parë, bëjmë gjëra që ndikojnë negativisht, duke përkeqësuar gjendjen.
- Çfarë veprimesh duhet të shmangim kur jemi me grip:
Anashkalimi i pushimit– trupi plogështohet kur është sëmurë dhe mbetet pa energji. Kemi nevojë për pushim absolut. Anulojini planet dhe jepini vetes kohë për t’u ndier më mirë.
Injoroni simptomat– simptomat e gripit dhe të ftohurës janë lehtësisht të dallueshme, ndaj nuk duhet të anashkaloni nevojën për të marrë solucionet tretëse kundër gripit brenda 48 orëve të para. Ato do të lehtësojnë simptomat dhe do tju bëjnë të ndiheni më mirë.
Hiqni dorë nga gjumi– mungesa e gjumit dobëson sistemin imunitar dhe e bën më të vështirë betejën kundër gripit dhe të ftohurës. Mjekët thonë se njerëzit që flenë më pak se gjashtë orë janë katër herë më të rrezikuar nga sëmundje të tilla.
Merrni antibiotikë– antibiotikët luftojnë vetëm bakteret ndërkohë që e ftohura dhe gripi shkaktohen nga virozat. Një e treta e antibiotikëve që jepen me recetë në raste të tilla janë krejt të panevojshme. Për më tepër, ato shfaqen me efekte anësore, siç është diarreja në rastin më të mirë dhe rezistenca e trupit ndaj antibiotikut në rastin më të keq.
Nuk pini mjaftueshëm lëngje– trupi kur është i sëmurë ka nevojë për më shumë lëngje, jo vetëm për t’u hidratuar por edhe për të pastruar rrugët e frymëmarrjes. Rekomandohet të pini sa më shumë çajra dhe hani supë pule rregullisht sa herë që të jeni të ftohur ose me grip.
Nuk ushqeheni– kur jeni me grip ose të ftohur, oreksi ikën, por kjo nuk do të thotë që duhet të qëndroni pa ngrënë. Kaloritë dhe ushqyesit tek ushqimet e ndihmojnë imunitetin të jetë më i fortë dhe të luftojë virozat më me efikasitet.
Pini duhan– duhani nuk duhet pirë kur jeni sëmurë sepse do të dëmtojë mushkëritë dhe irritojë fytin. Hiqni dorë nga cigarja dhe qëndroni larg ambienteve me tym duhani.
Stresi– stresi çliron hormone që dobësojnë imunitetin dhe i hapin rrugën inflamacionit. Simptomat ikin më me vështirësi kur jeni të stresuar ndaj zgjidhja është të qëndroni sa më të qetë.