Armand Duka, prsidenti i FSHF-së, ka trazuar “ujërat” në Serie A. Numri një i futbollit shqiptar ka lëshuar një deklaratë për “Corriere dello Sport” që ka bërë jo pak bujë.
Duka ka zbuluar bisedat që ka pasur me Hysajn, teksa shton se nuk është e lehtë të punohet me presidentin e Napolit, De Laurentis, duke zbuluar njëkohësisht se edhe ai po kërkon për një trajner të ri.
E ardhmja e mbrojtësit Elseid Hysaj mbetet ende e paqartë dhe pak kohë më parë ai u shpreh se koha e tij te Napoli kishte përfunduar dhe në verë do të largohej.
Në fakt, kjo deklaratë i ka kushtuar disi mbrojtësit shkodran dhe jo vetëm që nuk u largua, por përfundoi edhe në stol si mbrojtës i tretë i skuadrës.
“Më pëlqen shumë Hysaj dhe kundër Francës bëri një paraqitje të mirë. Ndoshta unë nuk e kuptoj shumë futbollin, por them se për mua ai duhet të jetë në fushë. Hysaj meriton që të luajë më shumë dhe nuk mendoj se do të largohet në janar, sepse është Ancelotti ai që do të largohet.
Më vjen keq për Carlon, sepse jam edhe tifoz i Milanit, por me aq sa di unë, De Laurentis po kërkon një trajner të ri. Në fund të sezonit, edhe djali mund të largohet dhe të luajë diçka tjetër, sepse e di që i përfundon kontrata.
Më kanë thënë që nuk është e lehtë të punosh me De Laurentis, teksa e njoh edhe Andrea Agnelli-n, sepse është në Ekzekutivin e UEFA-s dhe i vlerësoj idetë e tij”, – tha Duka.