MENU
klinika

Zhvillimet e fundit

Durrësi pas tërmetit, bilanci tragjik dhe solidariteti i shteteve

28.11.2019 - 16:40

Ora 18:26/ “Në nevojë jemi bashkë!”/ Rama publikon videomesazhin e Bashës

Rama-basha-a poe ndihmojne njeri tjetrinkonica.al

Kryeministri Edi Rama ka rishpërndarë në Twitter, mesazhin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke theksuar se pavarësisht ndasive politike, në orë nevoje kombi është i bashkuar.

Ora 17:39/ Dorëzohet Durrësi, rëndohet bilanci, shkon në 47 numri i viktimave

Vijon të rritet bilanci i viktimave të tërmetit katastrofik, duke e çuar në 47 numrin e viktimave, dhe 750 të lënduar.

4 trupt e pajetë në zonën e Kënetës në familjen Lala, mësohet se u përkasin Marjeta Lalës, Emilio Lalës dhe Dionis e Dionisa Lalës, nëna me 3 fëmijët e saj.

Ndërkohë në Lagjen nr. 6 në Durrës janë nxjerrë dhe dy trupat e 2 grave të mbetura nën rrënoja janë identifikuar dhe bëhet me dije nga burimet se ato janë Nafie Rexhepi rreth 80 vjec dhe Xhuljeta Gjonaj rreth 53 vjeç.

Bëhet me dije se kërkimet në Kënetë në banesën e familjes Lala vijojnë kërkimet edhe për një trup tjetër që dyshohet se është ende në gërmadha dhe bëhet fjalë për Ilir Lalën, djalin e paralizuar të kësaj familje, xhaxhai i 2 binjakëve të gjetur sot të vdekur.

Ora 17:06/I përlotur, plaku nga Medvegja dhuron 10 euro: Unë nuk mundem më…


Një burrë i moshuar nga Medvegja, në një intervistë dhënë për mediat e Kosovës tregon mes lotësh se ka vetëm 10 euro e se ata do i dhurojë për Shqipërinë.

Siç shihet në këtë video të bërë virale, plaku nga zona e Luginës së Preshevës, shprehet se do me shpirt të ndihmojë Shqipërinë për këtë tragjedi të ndodhur.

Ai nis të qajë për Shqipërinë, ndërsa thotë se mezi ka fituar para, pasi ka bërë një jetë refugjati.

Ora 16:44/ Solidariteti i shteteve për tërmetin/ Katari krah Shqipërisë

Më 27 Nëntor, në Bashkinë Durrës mbërritën ndihma të tjera nga Fondi i Katarit për Zhvillim në koordinim me Qatar Charity, me nevojat urgjente për të prekurit, përfshirë shtretër, batanije, dyshekë e materiale të tjera, ku ishin të pranishëm Ambasadori i Shtetit të Katarit z. Ali Bin Hamad Al Marri dhe Kryetarja e Bashkisë znj. Valbona Sako.

Ambasadori theksoi solidaritetin e Katarit dhe popullit të tij me Shqipërinë dhe popullin e saj. Ai shprehu ngushëllimet e tij të thella për viktimat e tërmetit, duke iu uruar shërim të shpejtë të lënduarve dhe shpëtim të shpejtë për njerëzit që ende janë nën rrënoja.

Ambasadori nënvizoi se ai u vendos në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarët në Shqipëri dhe Katar që ditën e goditjes nga tërmeti, dhe se sasi të tjera të mëdha ndihmash do të vijnë, ku përfshihen materiale të nevojshme për ti ardhur në ndihmë vendit dhe për të lehtësuar vuajtjet e të prekurve, duke theksuar se kjo ndihmë nuk do të ndalet dhe se Shteti i Katarit është plotësisht i gatshëm të ofrojë më shumë mbështetje për të dëmtuarit nga tërmeti.

Ora 16:13/ Pompeo nuk harron Ditën e Pavarësisë, një mesazh për shqiptarët

Sekretari Amerikan i Shtetit Michael Pompeo ka dërguar një mesazh për Shqipërinë dhe shqiptarët me rastin e 28 nëntorit, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Pomepo në mesazhin e tij thotë se populli amerikan ndodhet pranë popullit shqiptar në këto ditë tragjedie nga tërmeti. Po ashtu, Pompeo thekson se SHBA mbështet integrimin e mëtejshëm europian të Shqipërisë dhe reformat që ajo po ndjek drejt zhvillimit.

Ora 16:12/ 107-vjetori i pavarësisë/ NATO dërgon mesazh ngushëllimi

Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) i ka dërguar një mesazh Shqipërisë me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë.“Sot është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Zemrat dhe mendjet tona janë në solidaritet me aleatin tonë të NATO-s, që po kalon një periudhë të vështirë”, thuhet në mesazhin e aleancës në rrjetet sociale.

Ora 15:52/ 42 viktima/ Nxirret një tjetër trup i pajetë nga rrënojat

Ka shkuar në 42 numri i viktimave të tërmetit katastrofik që goditi vendin mëngjesin e së martës, 26 nëntor. Është nxjerrë një tjetër trup i pajetë nga rrënojat e banesës së familjes Lala në zonën e Kënetës në Durrës. Nuk dihet ende se trupi i cilit prej të pagjeturve ende është gjetur pasi policia e ka rrethuar zonën dhe nuk lejon të afrohet askush. Babai i 4 fëmijëve që dyshohet se kanë humbur jetën nuk është lejuar të shkojë aty. Nën rrënoja ndodheshin Ilir Lala, xhaxhai i fëmijëve, person me aftësi të kufizuara, Marjeta Lala, nëna e katër fëmijëve, 3 fëmijët e Marjetës, Emilio dhe Dionis e Dionisa, binjakë.

Ora 15:25/ Meta: Testimi i godinave duhet të nisë urgjentisht

Presidenti ka ndarë në Facebook një këshillë të Zef Mazit, për nevojën urgjente sipas tij të testimit të godinave, pas tërmetit të fuqishem që goditi vendin. “Një këshillë shumë e rëndësishme, që urgjentisht duhet vlerësuar”, – shkruan Meta duke postuar dhe keshillën e Zef Mazit, -ish-ambasador i RSh pranë Agjensisë Ndërkombetare të Energjisë Berthamore.