MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Eh, Muçi!.. Rama, nuk ka gabuar aty ku mendon ti…

03.11.2019 - 16:40

(Në vend të një letre miqësore)

…E lexova me nge, shkrimin dhe argumentet që jepje, për gabimin që ka bërë Rama, në lidhje me ndalimin e basteve. Duke dashur të të jap të drejtë, m’u kujtua dhe kjo po më ndodh shpesh këto kohët e fundit, thënia e një nënpunësi amerikan, që punoi, a punon ende tek ne, këto kohë. Ai e krahasonte Shqipërinë, me Amerikën e viteve ’20-të, të shekullit të kaluar. Ka të drejtë mendoj dhe po e lidh gjykimin tënd, me të tijin.

Në periudhën e njohur si të “prohibicionit” apo të ndalimit të alkolit, pasojat në Amerikë, u ndjenë shumë. Nga krijimi i bandave të Al Kapones me shokë, deri te krimi që zuri deri dhe majat e institucioneve. Amerika e ndaloi fillimisht dhe pastaj e la të lirë alkolin, dëmi i të cilit, mund të thuhesh se është pothuajse ai i të njëjtës madhësi me bastet. Po bashkë me ndalimin, Amerika shtypi me dorë të hekurt edhe kriminelët. Te filmat e mrekullueshëm, “Na ishte njëherë Amerika” apo “Kumbari”, mund të shohësh dhe pasojat e kësaj strategjie të shtetit, që duket sikur të japin të drejtë në arsyetimin tënd mbi bastet…

Ustallarët e alkolit, futën nëpërmjet shpërndarjes hera-herës me kredi apo falas, me mijëra familje dhe dyqane të vogla, në punë. Por më pas, qeveria nëpërmjet luftës së egër, i rrënoi bashkë me të zotët që i ndihmuan. Pra, thjesht i falimentoi. Ta bënte, thua?..

Në Shqipëri, arsyetimin tënd, në formë analoge e kam dëgjuar kur filloi loja mbi kioskat e viteve 1990-2000, që mbuluan gjithë Shqipërinë e deri në qendrën e Tiranës. Edhe mbyllja e tyre, la pa punë me qindra e mijëra njerëz që mbetën rrugëve. T’i hiqte, thua?..

Për shumicën e popullit që më shumë se ne, pavarësisht, ndoshta dhe ndonjëherë me vonesë, për shkak edhe të halleve që mban mbi kurriz, kjo ishte një lëvizje e mirë dhe që rriti kreditet e Ramës në sytë e tij.

Po të shikosh disa veprime të tjera të Ramës, të bëra këto vite, kur qeverisi në fillim Bashkinë e pastaj Qeverinë, ai më duket Kryeministri më i mirë që Shqipëria ka pasur këto 30 vjet të tranzicionit. Sistemimi i rrugëve rrangalle, fshirja e kioskave, pyllëzimi, moratorium mbi pyjet, kontrolli i ndërtimeve pa leje në fshat e qytet, zhdukja e shumë universiteteve fantazmë etj., më shpien normalisht në këtë konkluzion…

Po të flasim me gjuhë letrash, Muçi, Rama futi atë që quhet “Sqimë” që është gjë e madhe, për atë që e repekton këtë fjalë. Ata që do të vijnë pas Ramës, kurrë nuk do të guxojnë të përsërisin të tilla gjëra, që faktikisht, po shpinin Shqipërinë në greminë të lemerisshme.

Vetëm militantët qorra dhe torollakët partiakë, mendojnë se këto do t’i hiqte koha, apo se ishin pasoja të kapitalizmit të hershëm etj., etj. Që të kuptojnë sa gabim e kanë, le të mendojnë për ato qindra e mijëra pika karburanti, kafene, farmaci etj., që shtrihen ende, pafund, rrugëve dhe qyteteve të Shqipërisë, për të kuptuar se, ky, vetëm fillim kapitalizmi nuk është. Është, thjesht barbari që duhet shtypur pa mëshirë, sepse hedh në erë paratë e një vendi, që nuk janë të pafundme. Para që individi, sado i ndershëm të jetë, kur i fiton, i ka vetëm në përdorim. Hedh në erë, paratë e refugjatëve tanë, që kanë kohë që enden rrugëve të botës. Mjafton të shohin shtëpitë e pafundme në fshat, që kanë zënë tokat e bukës, për shkak të një qeverisjeje rrumpallë, për të kuptuar se, kur nesër do të paguhen taksat për drita dhe ujë, duhet t’i prishim prapë nga e para, për të kuptuar e respektuar Mit’hat Frashërin, që thoshte se, nuk ndërtohet dot një fshat pa pasur mbi 250 shtëpi, se nuk të del hesapi…

Ka shumë argumente, që më bëjnë ta quaj Ramën, si Kryeministrin më të mirë që ka pasur, këto 30 vjet, Shqipëria. Po megjithëse, atë e kam pasur dhe e kam mik prej 30 vjetësh a më shumë, Sokrati, që është më i mençur se ne të gjithë, më thotë t’i besoj të vërtetës.

Dhe këtu, unë filloj kundërshtoj dhe Ramën e nuk jam asnjëherë, dakord me të. Dhe mendoj, se e kundërshtoj shumë më tepër, se ata që e shajnë nga mëngjesi deri në darkë…

Amerika e viteve ’20-të, të periudhës së “prohibicionit” kaloi në atë “depresionit”, pas kësaj. Po në krye, kishte Rusveltin, që bëri ca gjëra të mëdha. Si fillim, shkatërroi duke i nxjerrë me shkelma, oligarkët e mëdhenj që kishin në dorë nëpërmjet lobingjeve edhe fuqinë reale mbi ligjet në parlament. Dhe ishin oligarkë jo “pa brekë në bythë”, si këta tanët që i bënë paratë rrush e kumbulla në vitet 2006-2010, kur u morën kredi kolosale nga bankat dhe qeveria e Berishës. I bënë rrush e kumbulla, duke e shndërruar Shqipërinë, në Republikë tregtare dhe krijuan një rrumpallë, pa anë e pa fund. Rusvelti i shkelmoi, duke marrë mbi vete gjithë mërinë e shtypit, që e akuzoi si komunist të keq dhe i ndërpreu çdo ndihmë, për zgjedhjet. Që ai, megjithatë, i rifitoi, në një formë që nuk është parë asnjëherë më, në Amerikë. Sepse e besoi populli.

Dhe e di, Muçi… Megjithëse në periudhën e qeverisjes së tij, këta oligarkë fituan shumë herë më tepër se dikur, ata e urryen për vdekje, Rusveltin. Sepse u mori nga duart, influencën politike dhe nuk i qasi kurrë në vendimarrjet e vendit…

Rusvelti, mbylli me urdhër, jo bastet, por 4 000 nga 11 000 bankat e Amerikës, njëherë e përgjithmonë.

Po ndërkaq, hapi pafund punë publike dhe zhvilloi pareshtur arsimin profesional, gjë për të cilën, për mjaft kohë mbajti vendin e parë në botë, duke krijuar një Amerikë madhështore.

Pasardhësit ia dobësuan këtë arritje aq shumë, sa sot Amerika po e vajton mungesën e këtij arsimimi, duke e humbur vendin e parë, që ia ka zënë Zvicra e vogël. Apo më keq, Kina e të tjerë…

Rusvelti, ishte për mua, shembulli që duhet të ndiqte Rama, i cili, natyrisht kishte dhe probleme të tjera, ca më të mëdha. Duhet të bënte dhe Reformën e Tokës, atë Territoriale dhe Arsimin profesional. I nisi me pasion, por i la rrugës. Natyrisht, për ato duhen kohë, madje shumë kohë që t’i bësh, por gjatë gjithë kësaj periudhe duhet të punosh çdo ditë me egërsi, për t’i vënë në jetë.

Por, këto nuk janë ende gabimi i tij më i madh. Pa përvojë në fushën e ekonomisë, ai i besoi fatin e venditm siç edhe Berisha dikur, në duar financierësh që, në vend të bënin thjesht rolin që u jepet, “e ndihmuan” t’i rregullonte gjendjet e financave me një rrugë që Rusveltin, do ta kthente përmbys mbi varr.

I gjendur me një shtet, që Berisha ia la të falimentuar, më 2013, ai në krye të shtetit dhe individi, nuk merrnin dot më para në Banka. Kjo, për borxhet e krijuara nga strategjitë e viteve 2006-2010. Në vend t’i drejtohej Rusveltit, apo të flasim me gjuhë ekonomistësh: Kejnsit apo Hajekut, Rama rifuti në lojë oligarkët e vjetër të Berishës, duke i çuar nëpër banka, me tendera, që të lanin borxhet dhe të rimëkëmbnin vendin. Kjo strategji, për mua është fatale…

Është pa dyshim, një shaka e hidhur e historisë, kur sot shikon kundërshtarin e tij, që i përmend oligarkët, që siç thashë, u krijuan në kohën e partisë së tij në pushtet dhe mbetën pa gjë, po në kohën e tij, për shkak të qeverisjes rrumpallë, që i la ata të ndërtonin Republikën tregtare të Shqipërisë.

Në planin filozofik, mangësitë e Ramës, do t’i emërtoja siç e bëj shpesh, me frazën e Napoleonit: “Betejat e mëdha, i bëjnë batalionet e mëdha”. Për shkak të natyrës mosbesuese të tij, presionit partiak etj., etj, Rama e mbylli qeverisjen e tij. Duke ia besuar postet, në shumë raste, njerëzve të improvizuar, që nesër nuk dimë nga do enden. Por, nëse vitet 1990-2000 mund ta lejonim këtë mënyrë të menduari e të besonim, se kishim pak njerëz të arsimuar, tani  kjo lloj taktike, shkon në të kundërtën e asaj që dëshiron.

Shqipëria, me gjithë varfërinë e saj, ka shpënë në universitete me mijëra djem e vajza, që dinë më shumë, shumë më shumë nga paraardhësit. Qoftë edhe një e njëmijta e tyre, të thirrej në shtet, do të bënte punë më të mëdha.

A ka kohë, të ridmensionohet loja?.. Nuk e di. Ata që janë përballë tij, ka kohë që i ka flakur historia, pasi e kanë provuar shumë herë, lojën e pushtetit. Rama vetë, duhet të provojë të kalojë mbi vetveten, duke parë me vëmendje, atë punën e Rusveltit. Të tjerë e jo vetëm ne, që çaprashitim me vend e pa vend në shtyp, duhet të mendojmë bashkë me ata që janë vërtet specialistë mirëfilli, ca më shumë e ca më mirë. E jo për të menduar për Ramën, apo fatin e tij, po për vendin.

A ka kohë? Nuk e di, por di se të ndjekësh rregullin, duhet t’i mbahesh fjalës së Konicës, që po e perifrazoj si mundem… “Kush arrin në krye me përpjekje të mëdha, mund edhe të bjerë i vdekur në fund të kësaj historie, pa e shijuar triumfin, por i ka hapur rrugë kombit të tij”.