Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të mërkurën se Evropa ishte shumë e dobët për të mbrojtur veten pa NATO-n, në një qortim të nënkuptuar për presidentin francez Emmanuel Macron dhe pretendimin e tij se aleancës ushtarake po “iv des truri”.
“Mbrojtja e NATO-s është në interesin tonë themelor, edhe më shumë sesa gjatë luftës së ftohtë,” u tha ajo deputetëve në Bundestag. “Tani për tani, Evropa nuk mund të mbrohet vetë, ne jemi të varur nga kjo aleancë transatlantike.”
Fjalimi, i mbajtur gjatë një debati mbi buxhetin për vitin 2020, ishte përgjigja e parë e Merkel për intervistën e shumëdiskutuar të Macron në The Economist, botuar këtë muaj.
Pjesa më e madhe e kritikave të Macron u përqëndrua tek vendimi i Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga veriu i Sirisë, pa u konsultuar më parë me aleatët e tij të NATO-s, dhe “pushtimin” e Turqisë në rajon më pas.
Merkel i bëri jehonë thirrjeve të liderit francez për më shumë bashkëpunim politik midis vendeve anëtare të NATO-s, duke thënë se “zgjidhjet ushtarake vetëm nuk do të jenë kurrë të mjaftueshme”.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas së fundmi bëri një deklaratë të ngjashme, duke kërkuar krijimin e një komisioni ekspertësh të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në fjalimin e saj të mërkurën, Merkel mbështeti gjithashtu propozimin e liderit francez se Evropa duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e vet, duke thënë se ishte “e drejtë” që kontinenti “të merrte më shumë përgjegjësi”.
Merkel pranoi gjithashtu se ofensiva e Turqisë në Sirinë veriore kishte tjetërsuar aleatët e saj, duke e quajtur Ankaranë një “partner të vështirë”. Operacionet luftarake shkaktuan viktima të mëdha civile dhe bënë që dhjetëra mijëra sirianë të largoheshin nga shtëpitë e tyre e që pastaj u pasua me thirrje që Turqia të dëbohej nga NATO.
Por Merkel tha që ishte “me rëndësi gjeostrategjike” që Turqia të mbetet një anëtare e NATO-s.