Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë se Festa e Flamurit ka gjetur çdo shqiptar të goditur fort nga tragjedia e tërmetit që la pas dhjetëra viktima.
Ministri ka publikuar një foto të flamurit kombëtar, i cili u gjet nga forcat e kërkim shpëtimit shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga rrënojat e banesave në Thumanë.
- Postimi i Lleshajt:
28 Nëntori i sivjetëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer. Ky flamur, që u gjet pak minuta para mesnatës së mbrëmshme, shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga gërmadhat në Thumanë, sikur i ndriçoi sytë dhe zemrat e heronjve shqiptarë, që edhe me thonj kanë gërmuar pa pushim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.
Ishte ky flamur, i nxjerë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës.
Le të jetë ky flamur, lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare.