MENU
klinika

Pse Shkaba Dykrenore?

Flamuri i Ilirëve, Pellazgëve… Skënderbeut

29.11.2019 - 18:26

       Flamuri i kuq me shkabën e zezë me dy krerë, është simboli më i shtrenjtë dallues i shqiptarëve, i kombit tonë të shumëvuajtur. Flamuri kombëtar e udhëhoqi shqiptarin në luftë. Ai ishte krenaria e tij para të huajve. Për origjinën e flamurit tonë kombëtar, ka shpjegime të ndryshme. Në një artikull të gazetës “Mësuesi” të 30 marsit 1962, me titull: “Pse flamuri ynë e ka shqiponjën me dy krerë?” thuhet: “Shqiponja me dy krerë u përdor, me sa dimë, nga shekulli XIV si shenjë e princërve feudalë shqiptarë… Nga sa mendohet, mundet që këta princër shqiptarë mund ta kenë marrë shkabën dykrenore nga bizantinët, prej të cilëve kishin marrë dhe titujt fisnikë… si arhont, sevast, despot…”. Këto shprehje nuk i përgjigjen të vërtetës historike. Duhet të kemi parasysh, se perandoria bizantine ishte perandori fetare, që kishte simbol kryqin dhe jo shqiponjën që ishte simbol pagan./Konica.al

Sipas këtij artikulli, del se bijtë e Shqipërisë, për mbrojtjen e lirisë, kanë luftuar dhe rënë nën hijen e një flamuri të huaj greko-bizantin ortodoks.

Dimë që për “mitin”, se shqiponja “qenka” me origjinë greko-bizantine, është pretenduar prej kohësh nga pseudohistorianët fqinj shovinistë grekë. Mirëpo, të dhënat që përligjin këtë mit, nuk i qëndrojnë “të vërtetës historike”.

Le t’i referohemi të dhënave të dokumentuara.

Sipas studimeve të Fan Nolit dhe të shkencëtarit të dëgjuar kroat Milan Shuflait (1879-1931), del se shqiponja ka qenë simbol i princërve arbërorë dukagjinas. Sipas dokumenteve dalmate (të shkruara italisht), gjatë viteve 687, 688 dhe 695 (mbas erës sonë), i gjejmë në luftë kundër mbretit Radosav dhe Stefan të Kroacisë.

Muzeu arkeologjik i Zagrebit ka qenë i pasuruar dhe me monedha me shkabë të fisit Japod Ilirian të zbuluar në Kroaci. Shovinistët serbë i kishin zhdukur këto monedha, por fatmirësisht këto monedha para zhdukjes ishin përshkruar me hollësi nga shkencëtari i mirënjohur Ljubiç.

Për ekzistencën e hershme të shkabës Iliriane, na ndihmojnë dhe zbulimet arkeologjike në Byllis (Hekal), Orik (Pasha-Liman), që i takojnë shekullit III para erës sonë, kohë në të cilën ka jetuar Pirrua. Sipas Pjetër Bogdanit (1685), ai është quajtur: “mbret i Arbrit të Poshtëm”, që ka jetuar 23 shekuj më parë. Edhe Frank Bardhi (1635), Epirin e stërmoçëm e quan “Arbëri”.

Princi arbër, Gjon Muzaka, në Dhiatën e tij shkruar në Napoli, më 1950, që u lë bijve të vet shkruan se: “Dera e tij ka pasur të trashëguar si emblemë shqiponjën dhe se të parët e tij kanë qenë dukagjinasit, që mbahen mend brez pas brezi në truallin tonë”.

Sipas Marin Barletit “Skënderbeu mbante flamuj të kuq të qëndisur me shqiponjë të zezë me dy krerë dhe se ky ishte flamuri i fisit të tij”. Sikurse dihet historikisht, familja e Gjon Kastriotit nuk ka qenë asnjëherë në shërbim të Bizantit, që mund të pretendohet se e kanë marrë andej shqiponjën. Kjo familje ka sunduar në një kohë, kur Bizanti ndodhej në shtratin e vdekjes.

Dihet botërisht përkrenarja e Skënderbeut me simbolin aq të njohur të dhisë me brirë. Vetë Gjergj Kastrioti e kishte shpallur veten pasardhës i Pirros së Epirit. Sipas Plutarkut dhe Zonararit, Pirrua e kishte përkrenaren me bri cjapi, ndërsa Flori (shek. I-II) shpjegon se përkrenarja me brirë ka qenë dhe para Pirros dhe e fakton me profilin e kokës së Aleksandërit të Madh në monedhat maqedonase.

Përderisa Skënderbeu e shpallte veten pasardhës i Pirros, i këtij mbreti të Arbërisë së Poshtme, nga i cili kishte marrë dhe simbolin përkrenaren me bri dhie, ka mundësi që Gjergj Kastrioti të ketë trashëguar dhe stemën ose flamurin e Pirros së Epirit, mbasi Skënderbeu i njihte shqiptarët pasardhës të epirotëve. (Georgius Castriotus rex Epirotarum, Gjergj Kastrioti mbreti i epirotëve).

 

Të dhënat historike, që përputhen plotësisht me ato arkeologjike, e hedhin plotësisht poshtë pretendimin se shqiponja dykrenore ka origjinë greko-bizantine. Ajo i ka rrënjët të thella, deri tek pasardhësit e ilirianëve, pellazgët. Atë e gjejmë të gdhendur edhe në një shkëmb në Azinë e Vogël, në afërsi të vendbanimeve të fiseve pellazge, veçanërisht numizmatika e hershme si monedhat me shqiponjë me mbishkrimin “Modhosia” të zbuluara në kryesinë e pellazgëve në Dodonë, në afërsi të Janinës, qoftë dhe ato të Gradishtit në Mallakastër etj. Të gjitha këto të dhëna arkeologjike faktojnë, se shqiponjën tonë e kemi nga paraardhësit tonë ilirë dhe nga etërit e tyre pellazgë, qoftë në monedhat e Aleksandër Mollosit, ashtu dhe në ato të Pirros së Epirit, duke shtuar dhe shqiponjat e vizatuara në vazot etruske, mbi mburojat e luftëtarëve./Konica.al

Për zbehjen e simboleve pagane, si në atë të Dodonës etj., një rol negativ ka luajtur dhe kisha që i zëvendësoi këto seli me emblema kishtare. Me këtë mjegull të hedhur mundohen pseudohistorianët grekë të manovrojnë për të mbajtur në këmbë pretendimet e tyre, se shqiponja dykrenore është greko-bizantine.       

Për sa i përket shqiponjave me dy krerë që shohim në flamurët e shteteve evropiane, ato kanë mbirë vetëm mbas shekullit XII të erës sonë. Ndërsa ne e kemi trashëguar nga të parët tanë, të cilët kanë qenë një nga popujt më të vjetër në Evropë.

Vula e Skënderbeut e tërhequr nga Arkivat e Raguzës me shqiponjën dykrenore, në mes ka mbishkrimin Georgius Scandebe (latinisht) me germat anës krahëve D (dominus) dhe Al. (Albaniae) – zotëronjës i Shqipërisë. Midis krerëve, si gjithë flamujt e kombeve të ndryshme, ashtu dhe flamuri ynë gjatë shekujve, ka pasur dhe shtojcat e tij, si pasojë e lidhjeve familjare feudale e miqësive dhe e sigurimeve territoriale. Ylli me gjashtë cepa është simbol i Balshajve. Stemën e flamurit tonë, kur e vizatuan napolitanët e mbretit Alfons, i vunë simbole të tjera.

Shenjat dhe simbolet zyrtare duhet të përfaqësojnë kombin si një tërësi. Shteti i sotëm shqiptar nuk është një shtet i një force të vetme politike. Duke pasur parasysh se flamuri ynë kombëtar është një simbol mjaft i largët në kohë, ai duhet të jetë i pandryshueshëm. Domethënë me shqiponjë si atë të Skënderbeut, sepse është i lidhur me idealet kombëtare të popullit shqiptar, me historinë e tij të lashtë./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”