Kanë përfunduar me goleada ndeshjet e fundit eliminatore të “Euro 2020”. Gjermania ka fituar 6-1 me Irlandën e Veriut, duke mbajtur vendin e parë në grup.
Në fakt, ishin miqtë ata që shënuan të parët, kur Smith realizon në minutën e 7-të. Por pancerat barazojnë shpejt me Gnabry në minutën e 19-të. Goretza në 43’ gëzon tifozët në Frankfurt, duke mbyllur pjesën e parë 2-1.
Me të filluar pjesa e dytë, Gnabry shënon golin e tretë dhe të dytin personal. Ndërsa në 60’ Gnabry kompleton tripletën. Por nuk do të mbaronte këtu, pasi edhe Goretza shënon sërish në 73’. Në fund vulos Brandt 6-1.
Po në këtë grup, Holanda mposht në shtëpi Estoninë 5-0. Tri herë Wijnaldum dhe Ake me Boadu i japin tulipanëve suksesin e radhës. Holanda e mbyll në vendin e dytë.
Ndërkohë, spikat fitorja spektakolare e Belgjikës në shtëpi. Belgët kaë fituar 6-1 ndaj Qipros, duke përmirësuar rekordin e Italisë të vendosur një natë më parë. Belgjika dhe Italia janë të vetmet skuadra në histori që mbyllin grupin me 6 skuadra në eliminatore me 10 fitore, pra me pikë të plotë, 30.
Por belgët, ndryshe nga italianët, kanë golaverazh më të mirë, 40-3, ndërsa Italia e ka 37-4. Në fakt, Qipro shënoi e para, por më pas erdhi furia e të kuqve, që shënuan 6 herë. Në këtë grup, edhe Rusia fiton thellë, teksa mposht 5-0 San Marinon në transfertë. Ndërsa Skoci-Kazakistan 3-1.
Për të ardhur te dueli më i fortë i mbrëmjes. Uellsi mposht 2-0 Hungarinë në ndeshjen direkte për vendin e dytë dhe siguron pjesëmarrjen në Europian, duke u bërë skuadra e 20-të që kualifikohet. Ramsey shënoi nga një për secilën pjesë. Sllovakia fitoi 2-0 ndaj Azerbajxhanit për statistikë.
Në Grupin G, Polonia fiton 3-2 me Slloveninë, por vendasit ishin kualifikuar si të parët në grup. Letonia surprizon 1-0 Austrinë, por miqtë e kishin siguruar vendin e dytë dhe luanin me rezerva. Ndërsa Maqedonia e Veriut fiton po 1-0 ndaj Izraelit.