MENU
klinika

Kontrabandë

Ilegalisht në Kosovë/ Mallrat serbe kalojnë kufirin

21.11.2019 - 15:53

Pesë kilometërshi i vijës kufitare që ndan Kosovën nga Serbia në veri të vendit ka qenë zonë kritike në këtë periudhë një vjeçare të vendosjes së masës mbrojtëse 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Vendosja e masës ka ndikuar në rritjen e tentimeve për kontrabandim të mallit dhe si rrjedhojë numri i rasteve të zëna nga njësitet anti- kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë shënuar ngritje prej 30 për qind.

Malli i 120 rasteve të zëna në tentim për t’ju shmangur autoriteteve kontrolluese kap vlerën e rreth 300 mijë euro në import si dhe rreth 200 mijë euro shmangie të taksave doganore dhe tvsh-së.

Raftet e dyqaneve të katër komunave veriore Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi vazhdojnë të jenë të mbushura me produkte serbe e boshnjake. E pavarësisht se 6 milionë euro janë importuar produkte nga këto dy vende, pjesa më e madhe e mallrave dedikuar për këto komuna janë nga kontrabanda.

Për ta parandaluar këtë, Policia e Kosovës me 28 maj zhvilloi një operacion në 12 lokacione, kryesisht në komunat me shumicë serbe dhe me ç’rast u arrestuan 19 zyrtarë policorë, 11 serbë, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, bashkëpunim me qëllim të kontrabandimit të mallrave dhe marrje ryshfeti.

Në nëntor të vitit 2018 Kosova vendosi një masë mbrojtëse prej 10 për qind për produktet serbe, mirëpo në mbledhjen e 76-të të Qeverisë më datë 21 nëntor të po të njëjtit vit atë e rriti në 100 për qind. Kjo u vendos një ditë pasi Kosova nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e organizatës ndërkombëtare policore, Interpol.

Importi nga këto shtete tash ka rënë për 99 për qind.Për këtë plotë një vit janë importuar mall nga Serbia në vlerë të 4 milionë eurove kurse nga Bosnja 2 milionë euro.

Derisa dikur Serbia ishte eksportuesja më e madhe në Kosovë brenda një viti eksportonte produkte mbi 360 milionë euro.