Presidenti amerikan Donald Trump ka lavdëruar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan gjatë një vizite të këtij të fundit në Shtëpinë e Bardhë.
Një vlerësim i tillë, sipas mediave amerikane, ka ndodhur pavarësisht shqetësimit bipartizan se udhëheqësi turk “po mbjell kaos në Lindjen e Mesme”.
Sipas USA Today, ndërsa ligjvënësit amerikanë filluan dëgjimet publike për të hetuar ndërveprimet e Trumpit me Ukrainën, presidenti “përqafoi” plotësisht një tjetër çështje që shqetësonte Shtëpinë e Bardhë.
Bëhet fjalë për vendimin e tij muajin e kaluar për tërheqjen e trupave amerikane nga veriu i Sirisë, duke i hapur rrugën operacionit turk në atë vend ditë më vonë.
Gjithashtu, sipas mediumit në fjalë, pas një serie takimesh, presidenti u tha gazetarëve gjatë një konference shtypi se ai shpreson të ndërmjetësojë një marrëveshje me Turqinë që do të zgjerojë ndjeshëm tregtinë midis dy vendeve.
Por çfarë u ka “rënë në vesh” gazetarëve, ka qenë një deklaratë e Trumpit, në raport me homologun e tij turk.
“Unë jam një fans i madh i presidentit”, citohet të ketë thënë Trump për Erdoganin.