Pavarësisht se nuk ka fituar ndonjë turne madhor së fundmi, tenisti spanjoll Rafael Nadal u rikthye në fronin e këtij sporti. 33-vjeçari nga Mallorca filloi zyrtarisht mbretërimin për javën e 197 në karrierë si numri 1 i botës.
Kjo është hera e tetë për Nadal që ngjitet në catinë e botës në këtë sport, por sidoqoftë ishte dicka që u bë e sigurtë që në mesin e muajit tetor, më saktë pas eliminimit në Mastersin e Shangait të tenistit nga Serbia Novak Djokovic.
Kurioz është fakti që tenisti iberik u rikthye në fronin e këtij sporti ekzaktësisht pas një viti, sepse për hir të së vërtetës, 12 muaj më parë Rafa kompletoi pikërisht javën e tij të 196 dhe të fundit në krye të renditjes botërore.
Nadali u bë njëherësh edhe tenisti i dytë më i madh në moshë që mbretëron në këtë sport, që nga viti 1973, kur edhe zyrtarisht ky sport filloi të organizohet në mënyrën se si funksionon edhe në ditët e sotme.
Rekordin dihet e mban Roger Federer, që gjatë vitit të kaluar mbretëroi në moshën 36,5 vjec. Objektivi kryesor i 33-vjecarit nga Manacori tani mbetet mbajtja e këtij pozicioni.