Zoti Kryeministër,
Kolloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoi në Diellin, 18 shtator, të mbyllur këtu Brenda, më hapi luftën me disa akuzata dhe insituata të shëmtuara. Nuk mund t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua të embararasoj guvernënnë këtë kohë kritike as tërthorazi, duke goditur delegatin e saj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve, që na derguat këtë kërcu të pagdhendur. Për të nisur, Kolloneli nuk di shqip, as gegërisht as toskërisht; Në çdo dialekt që i flinsja ay nuk me merrte vesh nga shaku që është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriu në New York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezeva, dhe pa pritur as ndonjë çperblim, as ndonjë memuriet. Po ay më shikonte shtrembër me mosbesim instiktif të barabarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për Kollonelin, se delegatët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij sa ay as i përfillte fare. Në mbledhjen e parë biseduam mi konferencat, që do të bënin nëpër kolonitë shqiptare. Më polli shpirti gjersa shtruam një program, të cilin pastaj Kolloneli e ndronte dhe e sakatonte, dyke dëgjuar mëndjet të atyre që u kishte besim, çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti.
Konferencat van mjaft mirë sa kohë ishte këtu z. Behar Shtylla po kur ky shkoi në Paris pushuan menjëherë. Duket qe Kolloneli nuk i shijonte aspak. Pas konferencave u hothmë në veprimin diplomatik. E këshillova Kollonelin të kërkonte menjëherë një pjekje nga Sekretari i Përgjithshëm z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anën e profesorit Laugier, një zyrtari të lartë të UNO- së, i cili është Ndihmës Sekretar për Punët Shoqerore dhe Ekomomike. Po Kolloneli e shikonte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja ndonjë grackë. Mezi Pranoi dhe e bëri kabull ta shikonte Profesorin. Ky mirëpriti delegatët dhe ua regulloi pjekjen me Trygve Lie-në. Bashkëfjalimi u zvarris pak minuta me dy dragomanë. Kolloneli fliste shqip, Behari ia kthente frëngjisht, edhe një dragoman i Sekretariatit ia kthente Trygve Liesë inglisht, meqenë që ky nuk dinte as frëngjisht as shqip. Nga ky muhabet me dy tërxhumane, Kolloneli hoqi konkluzjen groteske, që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar, telegrafoi në Tiranë, dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmën e nje triumfi imagjinar.
Unë isha në prakun e derës së tij, gati qe t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk kishte besim. Bëri vetëm një përjashtim, kur më mori si përkthonjës në pjesën me delegatin Amerikan. Për çudi, nuk i kishte besim as Alqit, edhe i vazhdoi bashkëfjalimet me anë dy dragomanësh edhe në disa raste të tjera. Lajmën që Kolloneli e kishte vënë guvernë në gjumë me fjale e bukura të Trygve Liesë e mësova disa javë pas ngjarjes, se Kolloneli nuk m’i tregonte sekretet diplomatike. I çfaqa dyshimin që fjalët e ëmbla dipllomatike nuk duhen marrë si senet, po ay veshin shurdhër. Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Washington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit edhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita kryesore për ditën e funtme të gushtit, dy muaj më vonë. Kur mori pyetjet nga Komisioni i Anëtarësisë, Kolloneli më bëri favorin të më pranojë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandëve, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa netë. Ditën Kolloneli m’i ndreqte, dyke insistuar jo vetëm në esencën, po edhe në retorikën e kulluar. Kur ardhi çështja e trakteve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetërsuar të vendimeve të Përmetit, të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shtrua projekt teksti paqes me Italinë prej Këshillës së Ministrave të Jashtëm në Paris. Kolloneli refuzoi t’ju pyeste, pse pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudit kur mësoi më vonë që ju e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.
Në funt të gushtit Kolloneli shkoi në Washington dhe kur u kthye në New York, më siguroi se rilidhja e marrëdhënieve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar vesh pastaj, Kolloneli u bë prapë viktima e naivitetit dhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm nuk ishte ndrequr, po ishte prishur fare. Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas fjalës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu dhe nuk i la të shkojnë në shqipëri. Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoi Vatra në Diellin, më datë 25 shtator, të mbyllur këtu brënda. Nga kjo do të merrni vesh qe Vatra ka bërë një propozim për tretjen e plotë të dy organizatave, dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Shqipëria e Lirë. Këtë gjë di fare mirë Kolloneli po nuk e përmendi në Lamtumirën. Veç kësaj, ky propozim i Vatrës është akoma i hapur, dhe negociatat nuk jane prerë. Përse ahere Kolloneli i deklaroi lu, ftë Vatrës edhe mua pa pritur përfundimin e këtyre bisedimeve. Më në funt, rolli i nërmjetarit është t’i pajtojnë të dy anët jo ta përkrahë njërën anë dhe t’i deklarojnë lu, ftën anës tjetër, siç bëri Kolloneli.
Tani vinj në konkluzjen: Nga budallallëkët e Kollonelit nuk do ta ndyshoj qëndrimin tim përpara Shqipërisë dhe guvernës suaj në theori. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni një njeri, i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën shqip që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën inglisht, meqenëqë këtej nuk shkon shumë frëngjishtja. Nga ana tjetër nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushëm si bashkëpunëtorë, të cilët ju nuk mund t’i njihni. Dy fjalë për marëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaj këtu. U lodha dyke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo nuk është vetëm një çështje formulle pa rëndësi praktike. Pasi të lithni marëdhënënje diplomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetetiu me pak durim, dhe vetem ahere do të hapet udha për te nisur një fushatë serioze. Një fjalë për të mbaruar. Kolloneli kur më hapi lu, ftën, nofta kishte harruar që ishte delegat i Shqipërisë. Po milei kujtojnë që ay flet në emrin e guvernës. Tani, në qoftësë nuk jinni në një mendje me Kollonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon lu, ftën që më deklaroi Kolloneli. Ashtu e do llogjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë merr funt në praktikë.
Kam shpresë që episodi i Kollonelit është vetëm makthi i një nate të keqe, dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelmë miqve tuaj.
Me të fala vëllazërore,
Juaji me besë
Peshkop F.S.Noli
26 Blagden Street
Boston, 16 mass
30 shtator 1946