Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka zemëruar Bullgarinë dhe Ukrainën, me deklaratat e tij të fundit. Por a do të thotë kjo se Macron po zhvendoset në të djathtën politike?
Kur presidenti i Francës, Emmanuel Macron i jep intervistë revistës së djathtë konservatore “Valeurs actuelles” dhe flet për migracionin, atëherë me siguri që ka edhe ndonjë qëllim politik mbrapa. Por kur jep deklarata të paqarta politike, apo deklarata që mund të kenë shumë interpretime, për bullgarët dhe ukrainasit në Francë, atëherë është e qartë se po prish punë në Europë më shumë se sa ndreq me këto deklarata.
Rrjete, banda apo diçka tjetër?
Në intervistën e përmendur Macroni tha: “Më me dëshirë do të doja që njerëzit këtu të vijnë legalisht nga Guinea apo Bregu i Fildishtë, sepse ata vijnë dhe punojnë, se ata që vijnë përmes rrjeteve ilegale ukrainase apo bullgare.” Fjala franceze “filières” mund të përkthehet edhe si “banda” apo “banda trafikantësh”. Reagimet në Sofje dhe Kiev kanë qenë të mënjëhershme. Atje janë ftuar në raport ambasadorët francezë, por qeveria bullgare dhe ukrainase u mjaftua bukur shpejt me shpjegimet e qeverisë franceze se “fjalët e Macronit janë nxjerrë nga konteksti”.
Presidenti ka folur për vështirësitë për të gjetur francezë që duan të lajnë enë. Por në vendet e prekura lindore është krijuar përshtypja, se ai më shumë preferon migrantë nga vendet e Afrikës, sesa nga këto dy vende. Politikanët nga partitë djathtiste konservatore, si për shembull ministri bullgar i Mbrojtjes, Krassimir Karakachanov, e kanë kritikuar ashpër këtë deklaratë: “Askush nuk ia ka dhënë atij (Macronit) të drejtën, që t’i ofendojë bullgarët”.
A ka dashur Macroni të inicojë debat për autoritetet bullgare, për të cilat dyshohet se prej vitesh po bëjnë tregti me pasaporta, për migrantët nga vendet e treta dhe se në këtë tregti janë të përzier edhe politikanë të nivelit të lartë? Nëse kjo është e vërtetë, a nuk është dashur të flasë më qartë? Apo ka dashur thjesht që të flasë për përparësitë e ardhjes legale? Por Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian dhe shtetasit e saj kanë të drejtë të lëvizin gjithandej. Ndërsa ukrainasit gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza dhe qëndrimin në një vend deri në tre muaj.
Kryeministri i Bullgarisë Boiko Borissov tha se presidenti Emmanuel Macron ka bërë ndoshta një hap të gabuar, por me siguri që nuk ka dashur t’i ofendojë bullgarët. Ai beson se presidenti i Francës do ta mbështetë Bullgarinë në përpjekjet e saj për futje në zonën e Shengenit dhe në Eurozonë.
Çfarë po bën Macroni?
Presidenti i Francës është në fakt aq i mençur sa të kuptojë se intervista e tij në 12 faqe për revistën djathtiste do të ilustrohet ndër tjerash edhe me shumë fotografi të Marine Le Pen. Në Pallatën Elysée prej ditësh po përballen me zëra anonimë, të cilët me ditë të tëra pohojnë se partia e presidentit Macron po përpiqet të peshkojë mbështetës në krahun e djathtë politik dhe se ai do ta humbë këtë garë. E djathta e ashpër e “Rassemblement National” (dikur “Front National”) me siguri që nuk do të bindet nga një liberal i majtë.
Bruno Cautrès nga instituti politik Cevipof në Paris e sheh Macronin para këtij rreziku: “Ai po po përpiqet të bëjë një sintezë mes të djathtës dhe të majtës, por në këtë mënyrë ai jep mesazhe shumë të paqarta dhe pakuptimta”. Me këto deklarata ai rrezikon të humbë mbështetjen në të majtën politike, ndërkohë që të djathtën nuk mund ta bëjë për vete. Macroni ndjek një kurs të rrezikshëm nëse mendon ta tejkalojë Marine Le Pen në disa tema të caktuara.
Kërkimi i pozitës së duhur
Le Pen ka bërë të ditur se sërish do të kandidojë në garën presidenciale kundër Macronit, ndërsa në sondazhe ata janë të barabartë. Prof. Cautrès beson se është tepër heret të fillojë profilizimi politik, sepse deri në zgjedhje kanë mbetur edhe dy vjet e gjysmë. Emmanuel Macron ka krijuar përshtypjen se ai do të luajë në të gjitha anët. Ai do të pozicionohet për pjesën e dytë të mandatit të tij. Në fushën ekonomike, qeveria franceze po përballet aktualisht me një reformë shumë të pa pëlqyer të pensioneve, që ka shkaktuar edhe protesta dhe demonstrata të shumta. Ndaj çështja e migracionit dhe ardhjes ilegale në vend mund të jetë një manovër për largimin e vëmendjes. Vëzhguesit me përvojë thonë, se Emmanuel Macron thonë se Macroni nuk ka arritur të dërgojë mesazhe të qarta me këtë intervistë.
Politika pragmatike
Por tema e migracionit mbetet në rend dite. Këtë të mërkurë bëhet publik plani i qeverisë së kryeministrit Edouard Philippe për zgjidhjen e problemit. Në këtë dokument flitet për “keqpërdorime dhe mashtrime” në sistemin e ndihmave sociale. Ndër të tjera konstatohen mashtrime edhe në sistemin shëndetësor dhe bashkimin e familjarëve, që nënkupton se procedurat për azilkërkuesit duhet të përshpejtohen. Në vend po diskutohet edhe për kuotat e migrantëve, që do të harmonizoheshin me nevojat e tregut të punës. Macroni pretendon që këtë temë të mos ua lë në duar të djathtës politike.
Barbara Wesel, Deutsche Welle