Nga viti në vit makinat që garojnë në Formula 1 kanë pësuar ndryshime, por ato të vitit 2021 do të jenë me shumë ndryshime krahasuar me të sotmet.
Pas miratimit të rregullave të reja të garës për vitin 2021, disa nga makinat e Formula 1 kanë nisur të publikojnë modelet se si do të jenë njëvendëshet që do të përdoren atë vit.
Williams, Renault dhe McLaren janë tri skuadrat e para që kanë publikuar disa skica se si pritet të jenë njëvendëshet e së ardhmes. Makina më pak komplekse për sa i përket anës aerodinamike, por të ngjashme me ato që përdoren sot.
Gjithsesi, aerodinamika është thelbësore dhe u jep mundësi pilotëve që të ruajnë ritmin edhe kur janë në ndjekje të një makine më të shpejtë. Kjo do të shtojë parakalimet e spektaklin në pistë.
Skuadrat do të kenë një tavan për sa u përket shpenzimeve, që do të shkojë në 175 milionë dollarë. Kjo shifër u jep mundësi makinave të vogla të reduktojnë diferencat me makinat me buxhet të madh.
Ndërkohë, makinat e reja pritet të jenë më të bukura për sa i përket anës vizive edhe pse janë të ngjashme me makinat aktuale. Modelet e paraqitura nga 3 skuadrat aktuale të Formula 1 nuk janë përfundimtare.