MENU
klinika

Reagimi i ministrit gjerman

“NATO-ja është gjallë”, Gjermania i kundërpërgjigjet Francës

26.11.2019 - 12:53

Gjermania duket se i ka dalë kundë Francës, lidhur me NATO-n dhe akuzave të presidentit francez se organizatës i ka vdekur truri.

Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha të martën se NATO-ja është gjallë dhe theksoi se është e rëndësishme që të mos ndahen rrugët e interesave të sigurisë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte deklaruar se aleanca ushtarake po përjeton vdekje të trurit.

“Mund të thuhet në mënyrë të justifikueshme se NATO-ja është gjallë”, tha diplomati Maas, duke shtuar se kjo aleancë vazhdon të mbetet jetike për sigurinë në të ardhmen dhe se ajo duhet të zhvillohet edhe më tutje.

“Ajo që ne po përjetojmë tani, është vdekja e trurit të NATO-s”, tha Macron për The Economist.

Macron i paralajmëroi anëtarët evropianë të NATO-s se nuk mund të mbështeten më te SHBA-ja për të mbrojtur aleancën, e cila është krijuar në fillimin e Luftës së Ftohtë për të forcuar sigurinë e Evropës Perëndimore dhe të SHBA-së.

Neni pesë i Kartës themeluese të NATO-s thotë se sulmi ndaj një anëtari do të merrte përgjigje kolektive nga aleanca. I pyetur nëse kjo vlen akoma, Macron tha: “Nuk e di”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, një aleate kryesore e Macron, tha se nuk pajtohet me “fjalët e ashpra” të Macronit.

Përpos presidentit francez, kritika për NATO-n ka patur më parë edhe homologu i tij amerikan, Donald Trump. Ai i ka akuzuar vendet evropiane se po shpenzojnë shumë në NATO në krahasim me vendin e tij.

NATO-ja përballet me disa sfida në botë, përfshirë rrezikun nga shtrirja e ndikimit rus dhe ndërhyrjet ushtarake në Lindje të Mesme, shkruan “Reuters”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Problemet me shpenzimet e mbrojtjes

Çfarë kërkon Macron nga NATO?

"Ushtria do të jetë plotësim i NATO-s"

Edhe Merkel kërkon krijimin e një ushtrie evropiane