Noshta nga kurioziteti, por edhe i detyruar për shkak të problemeve me fushën e stadiumit “Selman Stërmasi”, Tirana është klubi i parë që ka bërë kërkesë në FSHF për të luajtur në “Air Albania Stadium”.
Derbi me shumë gjasa do të luhet në atë stadium, por mesa duket, nuk do të jetë kjo ndeshja inauguruese për kampionatin shqiptar. Tirana ka dorëzuar një kërkesë zyrtare në FSHF për të lejuar që ndeshja e javës së 14 përballë Kukësit, të luhet pikërisht në këtë stadium.
Ky takim është planifikuar të luhet të premten e ardhshme dhe Tirana shpreson që të marrë dritën jeshile nga Federata. Këta të fundit, kanë siguruar se do të paguhet e njëjta qira si në kohën kur luhej në “Qemal Stafa” dhe ky premtim ka tunduar shumë nga klubet e Superiores.