MENU
klinika

A âsht e pafat Shqipnia që i duhen heronjtë?

«Në gjumë ishim, në gjumë vdiqëm»

30.11.2019 - 17:37

Te drama «Galileo» e Bertolt Brechtit, Andrea thotë «I pafat âsht ai vend që s’rrit heronj» (Unglücklich das Land, das keine Helden hat!), por Galileu i përgjigjet: «Jo. I pafat âsht ai vend që ka nevojë për heronj» (Nein. Unglücklich das Land, das Helden nötig hat).

Shpirti solidar e vullnetarizmi fisnik i njerëzve ka qenë superheroi i këtyne ditëve, nji plebishit moral që i ka zhvleftësue kufijtë, ndasitë, smirat e animozitetet.

Me 15 prill 1979 në Shkodër e Lezhë, nji tërmet shungullues prej 7.25 Rihter iu mori jetën 35 njerëzve e pati rezultue me dame masive materiale. Pos fjalimit të Enverit «Tërmeti lëkund malet, por jo shqiptarët», praktikisht pa kurrfarë ndihme nga jashtë, gjendja u menaxhue me «forcat tona» dhe merret lehtë me mend «fuqia» e shtetit asokohe: pa buxhet e gjithçka në nivel brigadierësh e koperativistësh ?

Por në rrethanat e sotme nuk falet kjo apati e shtetit që nuk funksionon se nuk funksionon.

As ushtri, as polici, as shtabe emergjente e as ekipe reagimi që dijnë me u ba dalazotës në këso situata. Kujt nuk i han leshi i fundshpinës me e ba nji raport për sigurinë e njerëzve në nji gjeo-hapësinë kaq jostabile në terma tektonikë e ku jetojnë rreth 1.5 milionë banorë…

Tërmeti i 26 Nëntorit erdh njisoj si tërmeti i vitit 1273 në Durrës, qysh e përshkruente nji kronikan bizantin «në gjumë ishim, në gjumë vdiqëm».

Tash pyetja brechtiane shtrohet kështu: a âsht e pafat Shqipnia që i duhen heronjtë? A âsht e pafat që nuk e kemi nji shtet për s’mbari?/ Salih Mehmeti