Muaji nëntor ishte i mallkuar për ekipet kombëtare, duke filluar nga përfaqësuesja e parë, për të përfunduar te 17-vjeçarët. 9 ndeshje në total nga të gjitha skuadrat, vetëm 2 barazime dhe 7 humbje, me një golaverazh prej 24 golash të pësuar dhe 8 të shënuar.
Situata bëhet më e rëndë kur mendon se Kombëtarja A barazoi ndaj Andorrës, që quhet humbje, duke parë nivelin e kundërshtarin. Ekipi Shpresa humbi në Shkodër me Anglinë 0-3 dhe ky një rezultat deri diku i pranuar duke parë potencialin e 21-vjeçarëve të Tre Luanëve.
Situata paraqitet rëndë në ekipet e moshave. 19-vjeçarët dhe 17 vjeçarët kuqezi jo vetëm që nuk konkurrojnë në fazën e parë eliminatore, por nuk marrin dot një fitore, madje U-17 pa shënuar asnjë gol, pavarësisht një pike.
Kombëtarja U-19 e drejtuar nga Nevil Dede pësoi tri humbje në grupin 4 eliminator për Europianin e ardhshëm të kësaj grupmoshe. Fillimisht u mposht 5-1 nga Greqia, më pas Belgjika fitoi 2-1, ndërsa humbja e fundit 2-4 me Islandën djeg më shumë.
Kjo për arsyen se Shqipëri U-19 ishte në avantazh të dy golave në pjesën e parë, por më pas ishullorët shënuan 4 gola, ndikuar kjo edhe nga kartoni i kuq që mori më i miri i ekipit tonë, Armando Broja.
Ndërsa Kombëtarja U-17 mori 2 humbje dhe një barazim në grupin 8, me ndeshjet që u luajtën në Portugali. Në ndeshjen e parë ekipi i drejtuar nga Elvin Beqiri u mund 4-0 nga vendasit portugezë.
Më pas 17-vjeçarët u mposhtën 2-0 nga Ukraina. Për të ardhur te ndeshja e fundit me Gjeorgjinë, ku barazuan 0-0. Një pikë që duket ngushëlluese, por pa shënuar gol në 3 ndeshje. Situata duket e rëndë kur mendon se ekipet e moshave kanë rreth 2 vjet pa fituar.