Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pohon se është ngritur Qendra Operacionale në Milot, e cila sipas tij ka për detyrë të kryejë menaxhimin e situatës së rëndë të krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, ku paniku dhe dhimbja për humbjen e jetëve ka pllakosur tashmë çdo shqiptar.
Sipas ministrit, kjo qendër do të funksionojë 24 orë dhe do të drejtojë dhe koordinojë gjithë veprimtaritë në funksion të menaxhimit të emergjencës në Qarkun e Lezhës.
Postimi i Lleshaj:
Në Milot u ngrit Qendra Operacionale për menaxhimin e situatës së krijuar pas tërmetit, në qarkun Lezhë. Përfaqësuesi i Prefekturës është përgjegjësi kryesor dhe kjo Qendër do të shërbejë për grumbullimin e gjithë informacionit e problematikave, me qëllim koordinimin e veprimeve për zgjidhjen në kohë të tyre.
Në Qendrën Operacionale janë anëtarë nga të gjitha institucionet shtetërore, Bashkitë, Policia, Shëndetësia, Arsimi, Zjarrfikëset.
Një kënd i posaçëm do të jetë në dispozicion të gjithë organizatave apo aktorëve të tjerë vendas dhe të huaj që do të bashkohen në aksionet e përbashkëta.
Qendra do të funksionojë 24/24 dhe do të drejtojë dhe koordinojë gjithë veprimtaritë në funksion të menaxhimit të emergjencës në Qarkun e Lezhës. #ShqiperiSolidare ?