Grupimet e ndryshme të tifozërive kanë marrë nisma konkrete për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti që ka goditur sot Shqipërinë. Shumë tifozë kanë shfaqur dhe një herë tjetër anën humane të shqiptarëve dhe bashkimin me Kosovën.
Tifogrupi i Prishtinës, “Plisat”, janë vënë menjëherë në gatishmëri për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti. Në postimet e ndryshme në rrjete sociale, kanë bërë njoftime në lidhje me mënyrën se si do të procedohet për të grumbulluar ndihma dhe për t’i nisur në drejtim të Shqipërisë.
Lajmi i mirë që vjen nga Prishtina, është fakti se kësaj nisme të Plisave u janë bashkuar edhe qytetarë të shumtë nga Kosova. Sakaq, kujtojmë që Kosova ka nisur në drejtim të Shqipërisë edhe forca ushtarake dhe policore për të bërë të mundur shpëtimin e personave, të cilët ndodhen nën rrënoja.