MENU
klinika

Alda Merini

Poeti është si prifti

01.11.2019 - 16:29

     Ishte një nga penat më të bukura dhe më sarkastike në letërsinë dhe poezinë italiane. Poemat e dashurisë të Alda Merinit përmbajnë pasion, dëshirë të madhe dhe dhimbje. Tekstet e poezive të saj tregojnë ndjesi dhe emocione të vërteta të jetuara nga vetë poetja. Me një jetë të trazuar, Merini është një nga figurat kryesore të letrave italiane të shekullit XX.

Më një nëntor, dhjetë vjet më parë, në moshën shtatëdhjetë e tetë vjeçare, Alda Merini u nda nga kjo jetë. Lindur në Milano në 21 mars 1931, Alda Merini filloi të shkruajë lirikat e para në moshë fare të re, ende pa mbushur 16 vjeç. Takimi i saj i parë me botën letrare ndodhi kur Silvana Rovelli, kushërira e Ada Negrit, dorëzoi disa nga poemat e saj tek Angelo Romano, i cili, nga ana tjetër, ia dha për të lexuar Giacinto Spagnoletti, i konsideruar edhe si zbuluesi i poetes.

 

Autorja pati një rrugëtim të vështirë, shënuar nga shqetësime shëndetësore dhe ekonomike, duke hyrë e duke dalë nga spitalet psikiatrike për një periudhë njëzet vjeçare, midis viteve 1960 dhe 1970. Koleksioni i parë i poezive të Alda Merinit: “Prania e Orfeut”, botuar në vitin 1953, pati një sukses të menjëherësh nga lexuesi dhe kritika. Sidoqoftë, kryevepra e saj konsiderohet “Toka e Shenjtë”, e cila i dhuroi, në 1993, çmimin “Librex-Guggenheim Eugenio Montale” për poezinë. Të shumta janë veprat që kanë dalë nga dora e poetes, ndër të cilat koleksionet në vargje “Testamenti”, “Boshllëku i dashurisë”, “Balada të papaguara”, “Lulja e poezisë” 1951-1997, “E mrekullueshme është nata”, etj., shkruan Konica.al.

 

Poezia e Alda Merinit na prek gjithnjë në thellësi, duke na bërë të na dridhen edhe telat më të ndjeshëm të zemrës sonë. Erotizmi dhe sensualiteti janë elementët më të fortë të vargjeve të saj të dashurisë, të cilat nuk e tregojnë këtë ndjenjë fisnike në nivelin ideal dhe platonik, por e bëjnë atë konkret. Ato e bëjnë atë të jetojë në jetën tonë të përditshme. Të gjithë e njohim dashurinë për të cilën flet Alda Merini. Fjalët e saj nuk janë abstrakte: nuk flet shpirti, por trupi. Flitet për ne. Një nga poezitë që shpreh pikërisht këtë emocion është “Dhe pastaj bëj dashuri”. Nuk ka asgjë më të zakonshme dhe pragmatike se dashuria. Arti i dashurisë. Ajo e pa dashurinë si një rrezik. “Poeti është si prifti, arrin të sublimojë: poeti edhe nëse do ishte e mundur preferon t’i këndojë dashurisë, sesa ta jetojë, sepse ta jetosh është një rrezik dhe gjithnjë bëj një hap pas”, – do të shprehej ajo, gjatë një interviste.

Në karrierën e saj artistike, Alda Merini eksperimentoi edhe në prozë me “E vërteta tjetër”, “E çmendura në portën ngjitur” (me të cilën, fitoi çmimin “Latina 1995” dhe ishte finaliste për çmimin “Rapallo” të vitit 1996), “Jetë e lehtë”,  etj.

Merini, e propozuar dy herë për Nobel, është fituese e disa çmimeve, mes të cilave: “Elsa Morante” dhe “Giuseppe Dessì”.

 

 

E njohur si një nga zërat poetikë më origjinalë në skenën letrare italiane, ekzistenca e saj ishte një gërshetim i ndërlikuar dhe i vazhdueshëm i pasioneve dhe poezisë, gjë të cilën e pasqyron plotësisht edhe krijimtaria e saj e bollshme. Vdiq në 1 nëntor 2009, në Milano, në repartin e onkologjisë të spitalit San Paolo./Konica.al

 

Dje e kam vuajtur dhimbjen

Dje e kam vuajtur dhimbjen,

Nuk dija se kisha një faqe të përgjakur,

Buzët prej metali të ashpër,

Një mungesë të plotë horizontesh.

Dhimbja është pa të nesërme,

Është një turi kali që bllokon

Thembrat e fuqishme,

Por dje kam rënë poshtë,

Buzët e mia janë mbyllur

Dhe tmerri ka hyrë në gjoksin tim

Si një fishkëllimë e thellë

Dhe burimet kanë pushuar së lulëzuari,

Uji i tyre i rëndë

Ishte veç një det dhimbjeje

Ku fundosesha duke fjetur,

Por edhe atëherë kisha frikë

Nga engjëjt e përjetshëm.

Po nëse janë kaq të ëmbël dhe të përhershëm

Pse palëvizshmëria më ngjall tmerrin?

Puthmë përsëri 

Puthmë përsëri në një kërcell

Dashurie

Dhe mendo për rininë që më

Merr dhe vetëm më ka lënë

Për aq vite sa s’mbahen mend.

Shpirti

Shpirti ka strehimin e vet te dashuria si

Tempull i një kurnacërie tokësore që hyjnitë nuk

Mund ta prekin, po shpirti është dhe fjalë,

Fjalë inkoshente. Është i gabuar identifikimi

I inkoshiencës me kohën e shpirtit: është një tjetër

Stinë, tjetër ushqim, ushqehemi

Me gjëra të huaja në fjalën e fundit, me gjëra që

Nuk kanë arsye të jenë, e prap janë, prej

Gjërash që vërshëllejnë si gjarprinj, po

Që në të kundërt janë ëngjëj ndriçues.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit