MENU
klinika

Rodin

“Qenia sikur Zoti”

12.11.2019 - 12:53

      Skulptori i mirënjohur i shekullit të 19-të, me një përkushtim të paepur ndaj natyralizmit dhe formës së pastër anatomike, August Rodin është i njohur për modelet ndjellëse, shpesh skalitur në grahmat e ngazëllimit ose ankthit, që në epokën e tij konsideroheshin revolucionare.

August Rodin lindi në Paris më 12 nëntor 1840. Një nxënës jo shumë i mirë, në moshën 14-vjeçare u fut në Shkollën Speciale të Vizatimit dhe Matematikës (tani Shkolla Kombëtare e Arteve Dekorative), pikërisht aty zbuloi edhe skulpturën. Kur ishte vetëm 14-vjeç, Rodin iu bashkua Shkollës Speciale të Vizatimit dhe Matematikës në Paris (e njohur sot si Shkolla Kombëtare e Arteve Dekorative), ku do të ushtrohet me Horace Lecoq de Boisbaudran, një piktor i mirënjohur. Gjatë kësaj periudhe, ai përsosi mjeshtërinë e tij në vizatim dhe vendosi të studiojë skulpturë. Më pas, punoi për skulptorë dhe dekoratorë të tjerë. Ai u bë i njohur në 1877, me veprën “Epoka e bronzit”, e cila ngjalli reagime të forta. Vitet 1880 ishin një periudhë pune intensive për August Rodinin, duke shpalosur shumëllojshmërinë krijuese përmes veprave që habisin me shpengimin e shprehjes së emocioneve dhe sensualitetit. Shumë vepra të mëdha datojnë nga ajo kohë, si: “Shën Gjoni Pagëzori”, “Mendimtari”, “Puthja”, “Monumenti i Viktor Hygoit”, “Monumenti i Balzakut” ose “Borgjezët e Calais”-së./Konica.al

Nëse August Rodin njihet për talentin e tij në skulpturë, duhet të theksojmë se fillesat e veta të karrierës ai i pati me vizatimin gjatë adoleshencës.

Me gjithë karrierën e karakterizuar nga suksesi dhe talenti, August Rodin dështoi tri herë në provimin pranues në Shkollën e Arteve të Bukura. Gjithsesi, ai vijon dhe fillon t’i kushtohet ekskluzivisht skulpturës, duke studiuar në mesin e Etërve të Sakramentit më të Bekuar dhe Muzeut të Historisë Natyrore, me artistin Antoine Louis Barye.

Pas disa dështimeve, sidomos në Sallonin e pikturës dhe skulpturës në vitet 1865 dhe 1875, ai  niset drejt Italisë, ku u ushqye me veprat e artistëve të Rilindjes, të cilat e frymëzuan të krijonte një nga kryeveprat e tij në skulpturë: “Epoka e bronzit”. Por, edhe një herë, suksesi nuk është me të, madje shumë shpejt e akuzojnë se ka modeluar fytyrën e tij në një trup njerëzor. Akuza të cilat do lënë gjurmë në jetën e skulptorit. Vazhdoi me veprat e veta, edhe pse së pari hasi në vështirësi, por së fundmi u shpërblye me mirënjohje në Sallonin e vitit 1879,  për bustin e “Shën Gjon Pagëzorit”.

Arti nuk ekziston pa jetën, – thoshte Rodin, – iluzioni i jetës arrihet nga një model i mirë dhe nga lëvizja. Këto dy cilësi janë si gjaku dhe fryma e të gjitha veprave të bukura”.

 

Karriera e madhe e Rodinin, të tillë si e njohim sot, filloi vetëm në vitin 1880, kur skulptori ishte 40-vjeç. Shteti francez përvetësoi skulpturën e tij: “Epoka e bronzit” dhe porositi një portë për Museun e ardhshëm të Arteve Dekorative. Porta në fjalë s’është tjetër veç veprës monumentale të Rodinit: “Porta e ferrit”, e frymëzuar nga “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit. Kjo vepër, për nga realizmi dhe saktësia, do t’i vlejë artistit një sukses të jashtëzakonshëm dhe do t’i lejojë të zhvillojë a posteriori disa skulptura të krijuara fillimisht për Portën, si “Mendimtari”. Vitet e ardhshme do të shënohen nga lavdia dhe veprat e mëdha: “Borgjezët e Calais” dhe “Puthja”, që do t’i japin August Rodin njohjen që ai priste, kështu që në 1887 ai u bë Kalorës i Legjionit të Nderit.

 

 

Më pas, të magjepsur nga guximi i skulptorit, shteti francez dhe shoqëri artistike do t’i kalonin porosi të tjera, si: “Monumenti i Viktor Hygosë” dhe “Monumenti i Puvis de Chavannes”, të cilat do të ekspozohen në Sallonet e Shoqërisë Kombëtare të Arteve të Bukura. Fundshekulli XIX është vërtet një periudhë veçanërisht pjellore për Rodinin. Më pas për Rodnin hapet shekulli XX, i cili vendos ta shtrijë suksesin e tij në nivelet më të larta të shoqërisë. Ai ndërmerr shumë ekspozita, në Francë, por edhe gjetkë në Evropë, ku fton artistë, shkrimtarë dhe koleksionistë të admirojnë kryeveprat e tij. Fama e tij rritet ndërsa ai bën takime vendimtare gjatë kësaj periudhe: Rodin miqësohet me poetin austriak Rainer Maria Rilke dhe kryqëzohet me disa klientë të pasur, të cilët po ashtu do bënin porosi për skulptura. Artisti zhytet në ekstazën e botës. Në vitin 1904, ai ekspozoi “Mendimtarin” e tij të famshëm, punë që i dha atij lavdi të paparë.

 

Për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, aktiviteti i August Rodin filloi të ngadalësohet. Me moshimin, skulptori përjeton edhe disa zhgënjime gjatë viteve të fundit të jetës, mandej sëmuret rëndë. Shumë i dobësuar nga sëmundja dhe i pikëlluar nga vdekja e gruas, Rodini vdiq më 17 nëntor 1917. Fatkeqësisht lufta e pengoi qeverinë franceze të kohës të organizonte një ceremoni mortore të denjë për artistin. Për më shumë se një shekull, August Rodin vijon të konsiderohet babai i skulpturës moderne./Konica.al

Hoteli “Biron” në Paris, i cili shërbeu edhe si atelie e skulptorit në vitet e fundit të jetës, u bë “Muzeu Rodin” falë dhurimeve të skulptorit për shtetin francez.

 

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe