Divorc i paevitueshëm i trajnerit Edy Reja me Kombëtaren shqiptare. Kjo është ajo që shkruajnë mediat italiane në lidhje me të ardhmen e teknikut Italian te përfaqësuesja kuqezi.
Kur në Shqipëri po flitet gjithnjë e më shumë për një rinovim të kontratës, prestigjiozja italiane “Gazzetta dello Sport” raporton se kontrata e trajnerit Edi Reja ka përfunduar në ndeshjen kundër Francës dhe nuk do të rinovohet më.
“Trajneri Reja mbyll eksperiencën shqiptare. Kontrata ka mbaruar në ndeshjen e fundit kualifikuese. Trajneri do të takohet me presidentin e federates, por divorci duket i paevitueshëm”, – shkruan “Gazzetta dello Sport”.
Trajneri ka pranuar publikisht se do të donte të vazhdonte me Shqipërinë. Edhe presidenti i Federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, në daljet publike në lidhje me këtë çështje, ka lënë të nënkuptohet se në eliminatoret e Botërorit 2022 do të vazhdohej me trajnerin aktual.