Los Angeles Lakers vijon paraqitjet e mira në NBA, duke mbajtur edhe kreun në Konferencën e Perëndimit. Fitorja e fundit ishte e vuajtur, pavarësisht se u shënuan 257 pikë në total. Lakers fitojnë në fushën e Oklahoma 130-127.
Kalifornianët, të udhëhequr nga dyshja LeBron James-Anthony Davis, dhuruan spektaklin e radhës. Nëse “Mbreti” James e mbylli takimin me 23 pikë e 14 asiste, vendimtar për Lakers rezultoi Davis, me 33 pikë dhe 11 “rebound”.
Dallas Mavericks shkatërruan 143–101 Cleveland Cavaliers, me ish-basketbollistin e Real Madridit, Luka Doncic, që la shenjë me 30 pikë, 14 asiste dhe 7 “rebound”, duke iu afruar “triple double”, që do të ishte e treta radhazi.
Në “Staples Center” të Los Angelesit spektatorët u bënë dëshmitarë të një tjetër përballjeje spektakolare, mes Clippers dhe Houston Rockets, të cilën vendësit e fituan me vetëm 3 pikë diferencë, 122-119, falë një përmbysjeje të pabesueshme në minutën e fundit, ku rikuperuan plot 5 pikë.
Nuk mjaftuan për Rockets 37 pikët e James Harden, ndërsa për kalifornianët morën më shumë vlerë 27 pikët e Lou Williams, që e nisi nga pankina, dhe 24 të Kawhi Leonard, autor i koshit të parakalimit 15 sekonda para fundit.