Figura dhe personalitete të ndryshme shqiptare dhe jo vetëm janë solidarizuar me vendin tonë, teksa është goditur nga një tërmet me magnitudë 6.4 ballë.
Në orët e para të mëngjesit, ka folur edhe ish-lojtari i Kombëtares dhe drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare. Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, ka shprehur sensibilizimin e tij për popullin shqiptar:
“Është një tragjedi që më ka tronditur thellësisht mua dhe familjen time, është me të vërtetë një tragjedi e madhe.
Duket se numri i viktimave është i destinuar të rritet, shpresoj me gjithë zemër të ndodhë e kundërta. Unë do të bëj gjithçka që të jetë e mundur për të ndihmuar popullin tim, do të përpiqem sa të mundem të jap një dorë.”
Ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili nëpërmjet një postimi në “Facebook” është solidarizuar me të lënduarit dhe familjet e tyre, teksa ka bërë apel që ta kalojmë këtë ditë të vështirë së bashku.