Në këto momente të vështira për Shqipërinë, e cila u godit nga një tërmet i rëndë, ku për pasojë 13 persona kanë humbur jetën, vjen një mesazh nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në një deklaratë për mediat, Kryegjyshi shpreh pikëllim për humbjet e jetëve, ndërsa shtoi se: “Ngjarje të tilla të pa parashikuara natyrore, na bëjnë të jemi sa më pranë njeri-tjetrit dhe i lutemi Zotit të Lartë të na japë forcë e vullnet, t’i kapërcejmë sa më butë këto situata”.
MESAZHI I KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN
Të dashur miq! Po ndjekim me shqetësimin e natyrshëm njerëzor ngjarjet e shkaktuara nga tërmeti i disa orëve më parë, dhe në mënyrë të veçantë, dëmet në Durrës dhe Krujë. Jemi pranë dhimbjes së familjarëve të viktimave duke ndarë së bashku pikëllimin e thellë, sikundër japim forcë dhe kurajë shpirtërore për të lënduarit e shumtë fizikisht. Ngjarje të tilla të pa parashikuara natyrore, na bëjnë të jemi sa më pranë njeri-tjetrit dhe i lutemi Zotit të Lartë të na japë forcë e vullnet, t’i kapërcejmë sa më butë këto situata.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Amin!”