MENU
klinika

Çka ishte “faktori K”?

Viktor Çami: Kosova dhe qëndrimi i shtetit shqiptar me 1981

17.11.2019 - 15:11

Fragment nga libri i Viktor Çamit (nëpunës i ambasadës amerikane në Londër dhe Vjenë, në vitet 1976-1990) “Letra nga mërgimi”, Prizren 2000

“Të gjithë analistët janë dakord se kyçi i gjithë enigmës shqiptare, në çdo fazë të zhvillimeve, është dhe mbetet çka njihet si “Faktori K”, dmth, Kosova. Pas heqjes së Rankoviçit dhe “liberalizimit” në Kosovë (pikërisht në atë kohë që mbyllej sekcioni shqiptar i BBC-së) dhe që kishte natyrisht objektiva strategjikë të caktuar, pritej një ndikim në Shqipëri, herët ose vonë, sidomos pas prishjes me Kinën. E kundërta ndodhi: Faktori K shpërtheu fuqishëm në 1981. «Zëri i popullit» botoi artikullin: „Pse u përdor forca policore në Kosovë?” Filloi të „digjet stralli“ nën këmbët e titistëve. Reagimi në botë ishte: në fillim habi, pastaj nervozizëm, alarm, gati panik. Ishin bërë llogaritë pa hanxhinë! Po na prishej balanca e vendosur në Jaltë! Vetëm atëherë filloi bota (njëlloj si Lindja edhe Perëndimi) për herë të parë ta vështrojë Shqipërinë „seriozisht“. Duhej rivlerësuar gjendja. Duhej vendosur çfarë qëndrimi të mbahej ndaj këtij zhvillimi të ri dhe krejt të papritur.

U vendos (njëlloj në Lindje si në Perëndim) se ngjarjet në Kosovë nuk ishin në interes të fuqive të interesuara: u denoncuan si shprehje të „nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar“. U këshilluan kosovarët të rrijnë urtë dhe të ulin kokën, të nënshtrohen. Pozitat e Beogradit u mbështetën prej të gjithëve, hapur ose jo hapur: ishin shqiptarët fajtorë! Kur u mbajt Kongresi i tetë i PPSH në 1981 (i fundit për Enver Hoxhën) parulla e vëzhguesve ishte: „Kosova zien … E gjithë bota i ka drejtuar sytë kah Tirana“. Pritej se ç’do të thoshte «Shqiptari më i madh i të gjitha kohërave», se çfarë qëndrimi do të mbante Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.

A mund të më thoni, miku im i dashur – në këto rrethana – se Enver Hoxha mund të kishte hequr qoftë edhe një presje të vetme në pjesën përkatëse të raportit të tij? Ai e dinte fare mirë se presionet do të intensifikoheshin në maksimum po të mos hiqte dorë nga përkrahja e tij për lëvizjen kosovare.

Ai e dinte fare mirë efektin që do të kishte një bllokadë ekonomike (e pashpallur, natyrisht) mbi ekonominë shqiptare dhe mbi perspektivën e rritjes, nivelin e jetesës, gjendjen e brendshme, e tjera. Ai e dinte fare mirë se do të shtoheshin problemet ekonomike dhe sociale dhe, rrjedhimisht, se mund të dilnin në sipërfaqe edhe tensione politike, sidomos pas largimit të tij nga skena (nuk ishte në gjendje shëndetësore të mirë qysh atëherë). Kjo dihej edhe këtej. Por ay dhe shteti shqiptar nuk mund ta ndryshonin pozicionin as edhe një centimetër. E vetmja gjë që mund të bënin ishte të prisnin derisa bota e jashtme (Lindje dhe Perëndim) të ndryshonte ajo qëndrimin e saj, derisa të ndryshonin kushtet politike objektive në botë. Enver Hoxha nuk mund t’u thoshte kosovarëve nga tribuna e Kongresit: „Ore djema, ulni kokën dhe shtrohuni si bagëtia se s’kemi si t’ju ndihmojmë, nuk ja delni dot me kërkesat tuaja, sado të drejta“. Dhe për të gjitha këto u penalizuan Shqipëria dhe shqiptarët.

Kjo është mënyra se si interpretohen ngjarjet në botë. Politika është thjesht kalkulim i interesave, konjukturave, dhe i balancës së forcave. (Letra nga Mërgimi, f. 55-56)
Thoni në letrën tuaj: „Është interesant se shtypi shqiptar në atë kohë (me 1981) reagoi me dy muaj vonesë, ndoshta në udhëheqjen shqiptare kishte diversitet mendimesh për qëndrimin që duhej të mbante Shqipëria, gë që u reflektua tetë muaj më vonë me eliminimin e M. Shehut. Asnjë reagim zyrtar i Tiranës për gjakosjen në OKB..“.
Ndoshta më mashtron kujtesa, por kam përshtypjen se artikulli me titull: „Pse u përdor dhuna policore në Kosovë?“ u botua 7 ditë pas shpërthimit në Prishtinë. Do të thosha se partia dhe shteti shqiptar nuk mund të reagonin menjëherë, duke dhënë kështu përshtypjen se ishin të përgatitur. Ekzistenca apo jo e divergjencave në udhëheqjen shqiptare ishte natyrisht diçka që preokuponte në atë periudhë edhe të gjitha qarqet e interesuara kudo në botë. Është për t’u habitur si nuk ka pasur deri më sot asnjë informacion publik mbi këtë çështje. Diku duhet të ketë një farë dokumentacioni për këto çështje jashtëzakonisht të rëndësishme; dikush në dijeni të fakteve duhet të ketë hapur gojën pas gjithë këtyre viteve. Mister! Enigmë!!
Për sa i përket vërejtjes suaj: „asnjë reagim zyrtar i Tiranës për gjakosjen e Kosovës në OKB..“. mund të vë në dukje vetëm se OKB-ja nuk ka mandat të merret me çështje të brendshme të një shteti, përveç kësaj, dihet se OKB-ja edhe në atë periudhë dominohej nga fuqitë e mëdha, anëtare të Këshillit të Sigurimit. Dihet edhe se ngjarjet në Prishtinë nuk u pritën aspak me kënaqësi nga asnjë prej këtyre fuqive. Do të thosha bile se efekti i këtyre ngjarjeve shkaktoi gati një panik të vërtetë në disa qarqe. Ju e dini fare mirë se demonstratat u denoncuan nga pothuajse i gjithë shtypi perëndimor si „manifestime të nacionalizmit, separatizmit dhe irredentizmit shqiptar“. Kosovarët u denoncuan (pikërisht si thoni edhe ju) si „elementë destabilizues!“
Gjendja ndryshoi vetëm më 1989, në kohën e ngjarjeve të Trepçës, kur nuk ishte më e mundur të mbulohej dielli me shoshë!
Sidoqoftë ngjarjet e vitit 1981 i detyruan fuqitë e ndryshme të rishqyrtonin pozitat, të nxirrnin konkluzione të reja. Një ndër këto konkluzione ishte se Shqipëria nuk mund të injorohej më… Shqipëria kishte treguar aftësinë t’i bënte ballë bllokadës edhe pas prishjes me Kinën.
Eskalacioni i vazhdueshëm i rezistencës kosovare, thellimi i pandërprerë i krizës ekonomike dhe politike në Jugosllavi, mbrojtja e shkëlqyeshme dhe e përkryer e çështjes kosovare nga ana e medias shqiptare (e cila kishte flakur tutje tani zhargonin ideologjik dhe dilte hapur dhe direkt me gjuhë politike, me terma të qarta, pa kompromis, me logjikë të hekurt dhe me maturi të thellë, duke evituar me kujdes të veçantë çdo nuancë nacionaliste që do të çonte ujë në mullirin e të tjerëve) e bënë impaktin e tyre. Mesazhi që i drejtohej botës ishte i qartë, pa ekuivoke:
„Mirë se ne nuk na dashkeni sepse qenkemi stalinistë, por të paktën dënoni ato që bëhen në Kosovë kundër të drejtave të njeriut, bëjuni presion autoriteteve jugosllave në emër të humanizmit tuaj në tryezën e bisedimeve me kosovarët për një zgjidhje paqësore dhe të drejtë të problemit“.
Çfarë ndodhi? Mund të më thoni se nuk është e vërtetë se folësi i State Departmentit të SHBA, duke folur në një konferencë të organizuar nga kosovarët tha: „Nuk jemi në dijeni për shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovë?“ Thoni në lidhje me KSBE se „Zëri i popullit“ botoi një artikull ku „demaskohej demagogjia e kësaj mbledhjeje hipokrite, sipas artikullit të shkruar nga E. Hoxha“.
Në qoftë se doni të thoni me këtë se ky ishte një tjetër gabim nga ana e Enver Hoxhës, për çfarëdo arsye qoftë, miku im i dashur, mund të them vetëm se jam i mendimit se E. Hoxha ishte një njeri jashtëzakonisht inteligjent dhe realist, i cili e dinte shumë, shumë mirë se si funksionojnë në të vërtetë mekanizmat politikë në këtë botë. Ndoshta kishte qenë naiv një herë gjatë luftës, kur ra në rrjetën jugosllave, por qysh prej asaj kohe e kishte bërë pësimin mësim. Për më tepër, E. Hoxha i njihte shumë, shumë mirë, rregullat e lojës politike, në kundërshtim me diletantizmin e hatashëm që hasim sot në Shqipëri. Ju siguroj se qarqet përkatëse në botë që merren me këto punë kishin respektin më të madh për profesionalizmin e tij politik, pavarësisht nga mospajtimi i interesave. Koha do ta tregojë.
Rezymeja është se fill pas ngjarjeve në vitin 1981 në Prishtinë, e gjithë bota politike në Lindje dhe në Perëndim u përballua me nevojën e një rishqyrtimi, një rivlerësimi të Shqipërisë, pozitës dhe rolit të saj. E përsëris edhe një herë: Shqipëria nuk mund të injorohej më. Shqipëria filloi për herë të parë të merrej seriozisht. (Letra nga mërgimi, f. 115-117)