Ikën një xhevahir nga Partizani. Jasir Asani nuk do të jetë më pjesë e Partizanit duke nisur që nga janari i vitit 2020. Sulmuesi nga Shkupi është transferuar në kampionatin suedez, pasi ka firmosur me AIK.
Ai shkon në formën e huazimit, teksa në fund të sezonit, klubi ka të drejtë për të blerë përfundimisht kartonin e tij. Lajmi u konfirmua nga vetë faqja zyrtare e klubit të Partizanit…
NJOFTIMI
“Klubi njofton sot arritjen e marrëveshjes së transferimit të Jasir Asanit drejt ekipi suedez AIK. Mesfushori me tipare sulmuese do të kalojë në formulën e huazimit te klubi suedez nga Janari 2020.
Klubi i AIK njëkohësisht do të ketë edhe të drejtën e blerjes së kartonit të Asanit në fund të sezonit. 24 vjeçari do të jetë në dispozicion të kampionëve të Shqipërisë edhe për dy ndeshjet e radhës ndaj Teutës dhe Vllaznisë, për të vijuar më pas aventurën e tij të re në kampionatin suedez.
Performanca mjaft pozitive e Asanit në radhët e të kuqve, me të cilët u shpall edhe kampion i Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane për të përfituar shërbimet e tij, por insistimi i vazhdueshëm i AIK rezultoi edhe oferta më konkrete dhe më e mirë për Asanin dhe Klubin.
Klubi dëshiron të falënderoj Jasir Asanin për kontributin e dhënë me fanellën e kuqe dhe i uron njëkohësisht shumë suksese në aventurën e tij të re”.
Ndërkohë, Asani ka thënë edhe fjalët e tij të para si futbollist i AIK, duke u shprehur i lumtur për këtë mundësi që i është dhënë:
“Futbolli është pasioni im më i madh dhe mundësia për të luajtur me AIK, është një nder i madh dhe një mundësi e madhe për mua. Do të bëj gjithçka mundem për të fituar dashurinë e drejtuesve të klubit, shokëve të skuadrës dhe tifozëve”.