MENU
klinika

Festat e fundvitit/ Synim, nxitjen e ndërmarrjes

Balluku: Nga 1 janari rrisim me 18% pagat e naftëtarëve

28.12.2019 - 15:31

Viti 2020 do t’i gjejë punonjësit e Albpetrol sh.a me më shumë të ardhura për familjet e tyre. Duke filluar nga 1 Janari, punonjësit naftëtarë do të përfitojnë një rritje page, mesatarisht 18%.

Lajmi i mirë ju dha punonjësve dhe familjeve të tyre nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë festës të Vitit të Ri të organizuar për fëmijët e naftëtarëve nga Fieri, Patosi, Mallakastra, Roskoveci, Kuçova, Selenica etj. Në këtë ceremoni ministrja shoqërohej nga Administratorja e Albpetrol, Eriola Muka.

Ministrja vlerësoi sakrificën e naftëtarëve, duke sjellë në vëmendje faktin se punojnë në një sektor me mjaft vështirësi.

“Unë jam shumë e lumtur sot që takoj fëmijët e naftëtarëve, të cilët janë nga punëtorët më të dalluar dhe kanë qenë në të gjitha kohërat. Janë njerëz që impenjohen shumë, puna është e vështirë, por ata ja dalin gjithmonë me sukses.

Kemi dhe një lajm të mirë për ta, që të gjithë naftëtarëve ne kemi vendosur t’ju rrisim edhe pagën, por më pas këto do t’i bisedoj Erjola me punëtorët”– u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpërndarë dhurata për të gjithë fëmijët duke krijuar momente festive. Fëmijët festuan me babagjyshin e Vitit të Ri dhe personazhet e tyre të preferuara dhe u argëtuan me dhuratat e shumta e përgatitura enkas për ta.

Albpetrol ndodhet në procesin e një reformimi të thellë. Strategjia e re për këtë reformimin bazohet në disiplinimin e kësaj ndërmarrje me synim rritjen e efikasitetit.

I gjithë personeli prej 1800 punonjësish po kalon në një sitë të imët për të vlerësuar dobinë dhe përgjegjësinë që secili ka dhe sjell në ndërmarrje, duke larguar nga organika e fryrë personat të cilët kanë nuk kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të kompanisë.

Edhe prodhimi është nën fokus të plotë të këtij procesi reformues dhe vetëm në tre muajt e fundit tetor-dhjetor kemi një rekuperim prej 1500-1600 ton gjithsej, me një bazë ditore shtesë 21 ton në ditë.

E gjitha kjo ka sjell mundësinë për të vlerësuar drejtë ata naftëtarë të cilët kryejnë detyrën dhe janë në konformitet me kontratën e punës. Kjo rritje e konsiderueshme page, synon nxitjen e mëtejshme të kësaj ndërmarrje për të arritur sa më parë objektivat e vendosura nga MIE në sektorin e hidrokarbureve për vitin e ri 2020.