Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në tryezën për lirinë e medias se nëse Parlamenti kalon këtë të premte paketën anti-shpifje, opozita jo vetëm nuk do ta njohë, por do të bëjë gjithçka për ta zhbërë këtë ligj.
Sipas Bashës, opozita do përpiqet të varrosë njëherë e përgjithmonë çdo mundësi të qeverisë për ta trajtuar pushtetin e katërt si shtojcë apo bezdi që i duhet mbyllur goja me kërcënime e para.
“Synimi ynë është t’i japim vendit të gjitha instrumentet për të mbyllur njëherë e përgjithmonë derën e hambarit të tranzicionit dhe për ta zhvendosur median përfundimisht në standardet e lirisë evropiane.
Nëse çmenduria çohet deri në fund ditën e premte nga Parlamenti, opozita jo vetëm nuk do ta njohë, por do bëjë çdo gjë që ta zhbëjë këtë legjislacion, ndërkohë që do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm brenda e jashtë vendit për të pezulluar, sprapsur e anuluar çdo masë të tillë arbitrare.
Së treti, për ne është e domosdoshme që këtë partneritet duam ta përkthejmë në një bashkëpunim konkret, që t’i japë çdo gazetari, punonjës të medias, apo qytetari shqiptar, që të jetë rregullator dhe të varrosë çdo mundësi të qeverisë për të trajtuar pushtetin e katërt si një shtojcë apo bezdi që i duhet mbyllur goja me kërcënime, para apo çdo formë tjetër. Kjo që po ndodh është dramatike.
Nuk ka ironi më të madhe, që shteti i përzgjedhur në kulmin e krizës për të marrë kryesimin e OSBE e nis këtë me një paralajmërim për një sjellje rrugaçërore për lirinë e medias. Me këtë dua të shpreh mirënjohje për organizatat ndërkombëtare që kanë ngritur zërin për t’iu ndihmuar, si dhe dua të bëj një thirrje për t’u bashkuar në këtë betejë, në këtë kaos, që është e gazetarëve, medias, por mbi të gjitha e qytetarëve”, deklaroi Basha.